Nga Flamur Vezaj
Më 12 mars 2025, dikush shpërndau në WhatsApp disa materiale të siguruara nga email-at e disa prokurorëve të SPAK-ut. Jo nga sistemi i brendshëm i IT-së – jo, jo – vetëm nga email-at. Dhe SPAK, për një muaj të tërë, s’tha asnjë fjalë. Heshtje totale. Si një institucion që, sapo i del boja, merr frymë thellë, pret të kalojë vala dhe bën sikur nuk ndodhi asgjë.
Por kur më në fund foli – më 4 prill – e bëri me stil: “Sistemi nuk është prekur, vetëm email-at janë sulmuar.” A thua email-at nuk janë pjesë e sistemit! A thua dosjet nuk qarkullojnë përmes tyre! Dhe akoma më qesharake: kanë tentuar të hyjnë në email-in e Altin Dumanit, por “pa sukses”. Çudi e madhe! Email-at e të tjerëve bien si domate të kalbura, por ai i Dumanit qenka prej titani. Mbrojtje presidenciale.
Ndërkohë, informacione të ndjeshme – që dyshohet se lidhen me hetime për Gjiknurin, dosjen e Ahmetajt, persona që kanë depozituar në Kushtetuese sepse u janë ekspozuar të dhënat personale – kanë dalë në qarkullim. Pyetje: kush i ka shpërndarë? Kush i ka kopjuar? Kush i ka porositur?
Çfarë bën SPAK? Kap dy individë: një që ka bërë phishing (thuhet), dhe një tjetër që i ka shpërndarë. Dhe me kaq mbyllet rrethi. Vetëm kaq? Dy djem me laptop dhe papritur kemi “grup të strukturuar kriminal”? Po financuesit? Urdhërdhënësit? Përfituesit e materialeve?
Kjo ngjan më shumë me një përplasje të brendshme për kontrollin e dosjeve. Një sistem që po i nxjerr sytë vetes. Prokurorët ndahen në një skemë klasike ballkanike: i nënës dhe i njerkës. Njëri mbrohet me bunker emailash, të tjerët klikojnë një link dhe lënë institucionin pa mbathje.
Ironia më e madhe? Në vend që SPAK të hetojë burimin real të rrjedhjes, firmos urdhra për gazetarët. Sepse, sigurisht, problemi nuk është rrjedhja e informacionit, por fakti që publiku mori vesh. Sot, gazetari duhet të njoftojë prokurorin para se të publikojë. Kemi hyrë në kohën kur censura quhet “koordinim”.
Të gjithë e dimë që nuk është hera e parë:
• Të dhënat e gjendjes civile – 2008
• Targat, patentat, pagat, patronazhistët, TIMS-i
• Hakerat iranianë që u bënë më të informuar se SHISH-i
• Dhe gjithmonë: askush nuk mbahet përgjegjës
Për çdo skandal, gjithmonë e njëjta skemë: një komunikatë, një konferencë, një arrest me zhurmë dhe pastaj – heshtje. Kush u dënua për patronazhistët? Kush për sulmet ndaj TIMS-it? Pse viktima është gjithmonë gazetaria dhe ata që publikojnë, por kurrë ata që nxjerrin informacionin?
Sistemet tona janë më të shpuara se kulmi i Teatrit Kombëtar para prishjes.
E megjithatë, sa herë ka rrjedhje, del një deklaratë. Arrestohen dy veta me të njëjtin stil si në kronikat e vjetra të policisë: “autori ishte pa precedentë dhe bashkëpunoi me drejtësinë”. Dosja mbyllet me justifikimin “nuk u preka sistemi”.
Po si nuk u lodhët duke na trajtuar si budallenj?
Kemi të bëjmë me një luftë të brendshme për informacion. Kushdo me sy e vesh e kupton që këto të dhëna nuk dalin me “peshkim”. Dalin sepse ka njerëz brenda që kanë interes të djegin kundërshtarët. Nuk jemi në vitin 1997. Këto shantazhe me “ta nxjerr emailin publik” janë më shumë luftë për pushtet brenda drejtësisë sesa sulm ndaj institucionit.
Por më keq se SPAK-u janë shoqatat e gazetarëve. Në vend që të mbrojnë lirinë e fjalës dhe punën e gazetarëve të ndershëm (jo të shantazhuesve), heshtin! Gazetaria nuk mund të jetë zgjatim i prokurorisë. Nëse ka ndihmuar në nxjerrjen e të vërtetës, bravo i qoftë. Jo hetim, por mirënjohje meriton. Askush nuk duhet të kërkojë leje nga SPAK për të publikuar.
Pastaj, pse ju desh SPAK-ut një muaj për të reaguar? Pse reagimi vjen vetëm pasi informacionet janë bërë publike? Pse dosja mbahet në hetim nga prokurori që ka dosjen dhe nuk i kalon një prokurorie tjetër, siç është praktikë normale në çdo sistem të drejtësisë moderne për shkak të konfliktit të interesit!?
Sepse problemi nuk është hakeri. Problemi është frika nga transparenca.
SPAK ka kohë që nuk funksionon si strukturë e pavarur, por si arenë gladiatorësh me email dhe deklarata. Tani edhe email-i është bërë mjet lufte. Dhe ndërkohë që ne merremi me “peshkun e vogël”, peshkaqenët lëvizin lirshëm mes dosjeve, email-ave dhe tenderëve… të cilët i shpërndajnë vetë, por më pas kërkojnë armikun!/Marrë nga profili në Facebook i autorit