Nga Blerina Goce
Dhoma ku ka jetuar Nexhmie Hoxha në vilën 31 gjatë kohës që Shqipëria ndodhej nën regjimin komunist është shndërruar në studio për artistët.
Dhoma personale e gjumit, studioja ku ajo lexonte, si dhe tualeti, që tashmë është shndërruar në kuzhinë për artistët. Prej tre muajsh jeton aty dhe po krijon artistja 27-vjeçare Arnilda Kyçyku.
“Duke ditur historinë sigurisht kisha një farë frike dhe ndrojtje. Fillimisht kur dëgjova që do të jem te dhoma e Nexhmies pata një siklet por që çuditërisht është dhoma më e rehatshme, sepse duke dëgjuar rezidentët e tjerë disa thonë ne nuk bëjmë gjumin rehat.”, thotë Kyçyku.
Ajo rrëfen se kjo hapësirë e ka frymëzuar për të krijuar, ndërsa frika ka nxjerrë në pah kreativitetin.
“Kam realizuar 21 vepra të ndara në tri seri: seria e parë kam hulumtuar mbi traditën dhe kulturën e Tiranës, ku kam kapur elementë si veshje popullore dhe rite të ndryshme, si dhe pjesën e arkitekturës së mbetur të Tiranës së vjetër ndërthurur me ndërtesat e reja dhe automjetet. Seria e tretë, që nuk prisja të ndodhte, lidhet me jetesën në vilë, ku kam pikturuar disa nga rezidentët e ku kam treguar momente nga jeta e përditshme.
Edhe më interesant është procesi krijues për një tjetër artiste rezidente në dhomat e ish-vilës së diktatorit, Zeineb Henchiri, e cila jeton në Paris. E vendosur në dhomën e miqve të vilës, në katin e dytë, artistja tregon se është edhe neuropsikologe për fëmijët dhe është mahnitur nga izolimi mendor dhe fizik që mbartej dikur në këtë mjedis.
“Që nga COVID kam punuar shumë në lidhje me izolimin, sëmundjet mendore, paranojat. Jam këtu për të punuar në lidhje me bunkerët sepse është diçka shumë me rëndësi për të prezantuar paranojën e sistemit, paranojën e diktaturës por dhe paranojën në përgjithësi. E kam bërë këtë përmes një videoje nga Tunizia nga fëmijëria ime, sepse dhe ne kemi pasur diktaturë në Tunizi dhe kam punuar mbi një fëmijë të fshehur në dollap në shtëpinë e diktatorit dhe imagjinon një përbindësh që jeton rrotull tij dhe përbindëshi është real dhe fëmija është krijim.”, – thotë Henchiri.
Për të, kjo shtëpi është si labirinth dhe kudo ka diçka për të zbuluar
“Shtëpia është si labirinth. Gjithmonë është një dollap i madh kudo ku shkoj në shtëpi dhe më kanë frymëzuar për këtë histori pasi jetoj në këtë shtëpi. Çdo ditë ne flemë në këto dhoma. Fatmirësisht nuk kam pasur ankthe.”
“Vila 31 x Art Explora”, dikur rezidenca e diktatorit Enver Hoxha është rikthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, që mirëpret artistë rezidentë nga e gjithë bota. Nga pasditja e kësaj të mërkure deri më 13 prill kjo qendër është e hapur për publikun, i cili mund ta vizitojë falas, ndërsa ofrohet edhe një program kulturor i hapur për të gjithë, duke përfshirë performanca, diskutime, lexime dhe shfaqje filmash.