Një koncert për piano nga Mozart erdhi për publikun nga pianisti 15-vjeccar Erbli Zade, nën shoqërimin e Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja. Kjo performancë, u prit mjaft mirë nga publiku.
“Jetoj prej vitesh në Angli, ku kam dhe një akademi muzikore e për momentin ndodhem në Tiranë. Erdhëm në koncertin e Erblit sot dhe nuk e dija se çfarë prisja. Dija vetëm që do të ishte një student liceu dhe thashë: Okej, hajd se po vijmë për qejf dhe u surprizova në mënyrë shumë të këndshme, sepse Erbli ka treguar një maturi, pjekuri në mënyrën e të rënit, i ka përfunduar frazat, nuk është i ngutur- gjë e vështirë në moshën e vet, me një konceptim mendimi, që e çonte deri në fund. Dhe në fund fare i mbylla sytë të mos më tërhiqte asgjë tjetër dhe vetëm u përqendrova te muzika e tij dhe i uroj shumë suksese.”,- thotë pianistja Mariela Çingo.
“Sot interpretuam Mozart 414 ose koncertin nr. 12 me një solist shumë fantastik, shumë i saktë, shumë i mirë, shprehës. Ne u hasëm me tre prurje shumë të mira. Padyshim që këto janë shtysa që duhen bërë më shpesh dhe janë privilegje që nuk para merren nga solistë kaq të rinj, të luajnë me një orkestër si kjo e operas dhe të jenë solistë dhe të kenë në dispozicion një publik e një sallë. Janë nisma shumë të mira e që duhen bërë më shpesh. Sikur të bëhen dy-tre herë në vit organizime si këto do të ishte fantastike. Këta solistë të rinj nuk kanë asnjë ndryshim nga solistë që kanë shumë përvojë në skenë dhe sillen shumë mirë me skenën.”, – shprehet dirigjenti Gridi Kraja.
Kjo ishte hera ime e parë që luaja me një orkestër dhe ta nisja me Orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit është një gjë që nuk e imagjinoja kurrë. Ishte një nder i madh për mua dhe mezi pres të bëj koncerte të tjera. Mozart ka një stil të veçantë dhe është paksa impenjative të luash pjesët e tij, megjithatë pjesët e tij janë shumë të bukura dhe mua më pëlqejnë shumë. Do të kisha dëshirën që në të ardhmen të interpretoja edhe më tepër pjesë të tij.”,- tregon pianisti i ri Erbli Zade.
Koncerti është pjesë e projektit “Mozart”, të ndërmarrë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe Liceun Artistik “Jordan Misja”.
“Emocionet janë shumë të bukura pas një performance shumë të bukur të nxënësit tonë të mrekullueshëm. Si projekt lindi që vitin e kaluar sepse këtë vit jemi në vitin mozartian dhe kanë filluar shumë aktivitete që në janar e që do të përfundojnë në dhjetor. Sa i përket këtij koncerti përzgjedhja ishte në bazë të një konkursi që u zhvillua në Liceun Artistik, ku u përzgjodh Erbli Zade.”,- thotë drejtoresha e Liceut Artistik, Etelva Kolnikaj.
“Është lumturi për mua dhe për Erblin. Për herë të parë nxjerr një nxënës që të luajë një koncert me orkestër dhe aq më shumë me Orkestrën Kombëtare të Operës dhe Baletit. Sigurisht për Erblin është një eksperiencë e jashtëzakonshme, e pashlyeshme sepse është vetëm 15 vjeç.”, – thotë mësuesja e pianos së Erblit, Mirela Tushe Vongli.
Pjesë e projektit “Mozart” ishte dhe një koncert i dy studenteve të Akademisë së Arteve: Hera Marku dhe Odesa Meti, të cilat studiojnë me pedagogen Merita Rexha.