Studentët e Fakultetit të Muzikës sjellin në skenën e Universitetit të Arteve operetën klasike me 3 akte “Vejusha gazmore”. Produkt i një vizioni të vetë Universitetit, kjo shfaqje është një mundësi më shumë për t’i mbështetur, promovuar dhe trajnuar artistët e ardhshëm.
“Ne kemi futur një koncept tjetër. Pas një experience me musicalin në dhjetor vijmë me këtë operetë. Ne jemi fokusuar te studentët. Është bërë një produksion i plotë artistik. Janë bërë tre audicione deri tani për rolet që në tetor. Është një shfaqje e kompletuar me të gjithë elementët e vetë, pothuajse profesionistë!”, – thotë Arben Llozi, dekan i Fakultetit të Muzikës
“Në kohën kur jetojmë, kur interesi i studentëve, veçanërisht për të vazhduar shkollat e artit nuk është shumë i madh, sepse kanë vështirësi në tregun e punës edhe për shkak të politikave jo fort të duhura dhe për shkak të tendencave të tregut të punës në lidhje me punësimin e tyre, detyra është që t’i stimulojmë e mbështesim këta studentë.”, – shprehet zv.dekania e Fakultetit të Muzikës, Silvana Skënderi.
Shfaqja është edhe një mundësi për të hapur dyert e rrugës artistike të studentëve.
“Duke qenë një produksion i plotë, për karrierën e një këngëtari të ri, është goxha e rëndësishme dhe hov shumë i madh përtej këtij institucioni në skena më të mëdha.”, – thotë Aldrin Biba, student në Fakultetin e Muzikës.
“Për mua është eksperiencë goxha vlerësuese. Na përgatit ne për të shkuar edhe më lart, si në Teatrin e Operas por edhe jashtë vendit.”, – vijon Elvis Kalemi.
“Vejusha Gazmore” është vënë në skenë për herë të parë më 1905 me një subjekt që ndërthur humorin, dashurinë, atmosferën aristokratike pariziene. Në skenën e Arteve, shfaqja u ngjit premierë mbrëmjen e kësaj të enjteje nën drejtimin artistik të Dritan Lumshit, dirigjimin e Petrika Afizollit dhe regjinë e Redjan Mullës.