Durrësi në protestë – Petro Vokopola për Eco Park dhe shatërvanin: E krijuan këtë problem për të vazhduar vjedhjen sot!

Durrësi në protestë – Petro Vokopola për Eco Park dhe shatërvanin: E krijuan këtë problem për të vazhduar vjedhjen sot!

Në episodin më të fundit të podcastit RevoCast, i realizuar nga gazetari Aldo Mustafa, i ftuar ishte Petro Vokopola, një nga zërat më të angazhuar të qytetarisë aktive në Durrës. Në një bisedë pa dorashka, Petro rrëfeu pjesëmarrjen e tij në disa nga protestat më të rëndësishme që ka njohur qyteti në dy dekadat e fundit, si dhe ndau mendimet e tij për transformimet urbane që, sipas tij, shpesh dëmtojnë historinë dhe identitetin e qytetit.


Pjesë nga intervista – RevoCast me Petro Vokopola

Aldo Mustafa: Ke qenë ndonjëherë aktivist? Ke marrë pjesë në protesta?

Petro Vokopola: Kam marrë pjesë në të gjitha protestat.

Aldo: Për qytetarët e Durrësit… të sjellim ndër mend ndonjë fragment?

Petro: Kam protestuar për mbeturinat.

Aldo: Mbetjet kimike?

Petro: Mbeturinat që ishin në Eco Parkun e sotshëm. Doli goxha mirë, nuk e prisja.


Ky episod kujton një nga protestat më të mëdha qytetare të zhvilluara në Durrës, kur zona që sot quhet Eco Park, ishte një vatër mbeturinash dhe ndotjeje. Petro tregon se kishte dyshime të forta nëse gjithçka ishte inskenuar për qëllime më të thella.


Petro: Kam qenë shumë me pikëpyetje… ta bëj, mos ta bëj… Sepse kisha informacione që e kishin krijuar vetë këtë problem për të vazhduar procesin e vjedhjes sot! Po e kërkonin që të ishte problem, që të bëheshin protestat, dhe më pas të vinte shteti. E kisha me pikëpyetje… mos po e bënin vetë këtë lojë.

Aldo: Pastaj si erdhi pjesa e vendimit?

Petro: Ishte gjë për t’u bërë. Në fillim u mor si vendim më vete, pastaj në grup, dhe më pas u bë shumë shpejt.

Aldo: Duhej të tregoheshe politikan!

Petro: E tillë ishte situata.


Vokopola kujton gjithashtu protestën për shatërvanin historik të Durrësit, një simbol i dashur për brezat e qytetarëve, i cili u hoq pa shumë konsultim publik. Ai e përshkruan atë moment si një humbje të rëndë identitare.


Aldo: Mos gaboj, ke qenë pjesë e protestave për heqjen e shatërvanit të famshëm të qytetit?

Petro: Patjetër. Ajo është emblema e qytetit.

Aldo: Çfarë mendimi ke sot, pas kaq vitesh?

Petro: Është emblema e qytetit dhe më vjen për të qarë për atë. Pse?! Sepse të hedhësh kaq shumë para dhe të bësh atë shëmtirë që kanë bërë aty… nuk di çfarë të them. Kishte mundësi projektesh sa të duash.

Aldo: Të gjithë e kemi nga një foto në atë shatërvan…

Petro: Patjetër. Një tek Torra Veneciane dhe një tek shatërvani. Aty qëndronin fotografët.

Intervista me Petro Vokopolën nuk është thjesht një udhëtim në kujtesën kolektive të një qyteti është një apel për ndërgjegje, për pjesëmarrje qytetare, dhe mbi të gjitha, për respekt ndaj historisë urbane. Fjalët e tij janë një kujtesë e heshtur se ndonjëherë, protestat nuk janë vetëm akte kundërshtimi, por edhe forma të dashurisë për qytetin ku ke lindur.