Nuk është arkitekte, as urbaniste, por për Edlira Harizin, kjo nuk është pengesë për të menduar dhe vepruar ndryshe për qytetin që e ka rritur. Në një bisedë të sinqertë, ajo rrëfen se prej vitesh e ka ndjerë nevojën për të reaguar, për të treguar se gjërat mund të bëhen më mirë, me logjikë dhe përkushtim.
“Gjatë gjithë këtyre viteve, kur shoh gjëra që nuk më pëlqejnë, unë them: Këtë mund ta bëja ndryshe unë. Flas me miqtë, jap argumentet e mia. Nuk jam specialiste, por ndiej një përgjegjësi qytetare që nuk mund ta shpërfill,” – shprehet ajo.
Dëshira për ta parë Durrësin ndryshe, më të pastër, më të bukur dhe më të jetueshëm, nuk i ka munguar kurrë. Përkundrazi, është forcuar çdo herë që qyteti ka humbur diçka. “Durrësi është bërë i pajetueshëm. U betonizua rëndë, u prishën të gjitha parqet, u dëmtua trashëgimia jonë historike-kulturore,” – thotë Edlira, me një zë ku ndihen njëkohësisht dhimbja dhe vendosmëria.
E pyetur nëse qyteti ka humbur identitetin, ajo përgjigjet pa hezitim: “Sigurisht që ka mbetur, nuk është zhdukur gjithçka, për fat të mirë. Por fatkeqësisht, duhet të them që kemi humbur shumë.”
Kjo është arsyeja pse Edlira Harizi vendos të përfshihet në politikë, jo për të qenë pjesë e një strukture, por për të qenë zëri i një qyteti që ende kërkon drejtësi urbane, kujdes dhe vizion. Ajo nuk premton mrekulli, por sjell me vete ndershmërinë e dikujt që nuk ka frikë të thotë: Po, mund të bëhej më mirë. Dhe unë dua të përpiqem ta bëj më mirë.