Petro Vokopola: Shqipëria nuk është në normalitet!

Petro Vokopola: Shqipëria nuk është në normalitet!

Në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë, kandidati për deputet Petro Vokopola u shpreh me ton të qartë dhe të prerë: Shqipëria nuk është në normalitet, dhe kjo vlen sidomos për sistemin shëndetësor.

“Shëndetësia është në gjendje skandaloze. Kam miq të afërt që përballen çdo ditë me padrejtësi, që nuk marrin dot ndihmën që u takon, që ndihen të braktisur nga një sistem që duhet t’i shërbejë,” – tha ai, duke theksuar se nuk e ka ndërmend të shmangë këtë temë të vështirë nëse fiton mandatin.

I pyetur nëse do të jetë një zë më shumë në zhurmën parlamentare apo një zë që bën diferencën, ai u përgjigj: “Dua të jem një zë korrekt dhe i drejtë. Ajo që kërkojmë është normalitet.”

Ai e thekson se nuk po kërkon të shpikë zgjidhje, por të aplikojë modele që kanë funksionuar diku tjetër. “Nuk do të bëjmë shkencë të re – do të bëjmë atë që bota ka bërë prej kohësh.”

Mes rreshtave, Petro jep një mesazh të qartë: politika nuk ka nevojë për spektakël, por për njerëz që dinë të dëgjojnë dhe të veprojnë drejt. Angazhimi i tij nuk është për t’u bërë pjesë e një kori të zërave që flasin, por për të qenë një ndër të paktët që i përmbahen fjalës.

Në një kohë kur retorikat e mëdha shpesh nuk përkthehen në veprim, mesazhi i Petros vjen si një thirrje për kthimin tek e zakonshmja, tek funksionalja, tek e drejta që nuk kërkon sforcim, por përkushtim.

Biseda e plotë:

Petro: Nëse do të zgjidhesha deputet, do të vijonja projektet që kam përmendur më parë. Shëndetësia është në gjendje të rëndë. Kam shumë miq që nuk arrijnë të gjejnë të drejtën e tyre në sistemin shëndetësor — që kërkojnë ndihmë, por përballen me një mur.

Aldo: Pra do të merresh edhe me çështjet e shëndetësisë?

Petro: Patjetër.

Aldo: Do të jesh thjesht një zë më shumë në këtë fushë apo synon të jesh një zë ndryshe?

Petro: Dua të jem një zë korrekt dhe i drejtë. Ne kemi nevojë për normalitet. Shqipëria nuk funksionon në normalitet. Kjo është e dukshme. Ajo që duhet të bëjmë nuk është ndonjë shkencë e pazbuluar – thjesht të ndjekim atë që ka funksionuar në botë. Nuk po shpikim rrotën.