Ilir Ikonomi vlerësohet me çmimin “At Zef Pllumi” për librin biografik “Fan Noli, rebeli”

Ilir Ikonomi vlerësohet me çmimin “At Zef Pllumi” për librin biografik “Fan Noli, rebeli”

Elvis Hila 

Studiuesi dhe publicisti Ilir Ikonomi u shpall fitues i çmimit “At Zef Pllumi” për vitin 2025 me librin “Fan Noli, Rebeli”. Konkursi letrar mbështetet nga bashkia e Lezhës ndërsa juria profesioniste e përzgjodhi veprën e Ikonomit mes 25 botimesh, duke e vlerësuar për qasjen origjinale historike dhe hulumtimin e thelluar mbi figurën komplekse të Fan Nolin.

I emocionuar, Ikonomi tha se çmimi “At Zef Pllumi” është një nder i veçantë për të, pasi mban emrin e një prej figurave më të mëdha të kombit.

Shkrimtari Rudolf Marku tha se konkursi letrar është një mënyrë e mirë jo vetëm për të promovuar botimet e reja por dhe për mbajtur të gjallë trashëgiminë e At Zef Pllumit.

“Fan Noli, Rebeli”, trajton periudhën intensive të viteve 1920–1924, kur Fan Noli, nga një figurë fetare dhe idealiste, u shndërrua në një reformator politik. Ikonomi sjell letërkëmbime e dokumente arkivore, të panjohura më parë mbi përfshirjen e Nolit në politikën e brendshme, rolin diplomatik në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjen e tij për të ndryshuar Shqipërinë.