Peshkimi në Durrës, një pasuri në rënie – zëri i Joni Myshketës për krizën dhe zgjidhjet

Peshkimi në Durrës, një pasuri në rënie – zëri i Joni Myshketës për krizën dhe zgjidhjet

Në një bisedë të hapur me kandidatin për deputet të KEA, Joni Myshketa, doli në pah një nga plagët më të thella të ekonomisë së Durrësit: industria e peshkimit. E lidhur ngushtë me identitetin dhe historinë e qytetit, kjo industri sot përballet me sfida të rënda, të cilat po e zbehin rolin që ka pasur dikur në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.

Tradita që po shuhet

“Industria e peshkimit ka një historik të kahershëm me qytetin,” – thotë Joni. “Durrësi, si qytet buzë Adriatikut, është i bekuar me një det të mrekullueshëm që ofron produkte deti nga më cilësoret. Por sot kjo pasuri nuk po shfrytëzohet siç duhet.” Sipas tij, peshkimi ka qenë gjithmonë një burim i rëndësishëm jetese dhe ekonomie për familjet durrsake, por zhvillimet e viteve të fundit kanë sjellë një rënie dramatike të aktivitetit.

Shifrat flasin vetë

Nga rreth 140 mjete lundruese që ndodhen sot në portin e Durrësit, vetëm rreth 50% janë funksionale. “Problemi kryesor lidhet me çmimin e lartë të karburantit,” – shpjegon Joni. “Në Greqi, Itali apo Mal të Zi, një litër naftë për anijet e peshkimit kushton nga 50 deri në 70 lekë me TVSH. Ndërsa tek ne shkon deri në 105 lekë. Kjo e vendos peshkatarin shqiptar në një disavantazh të madh konkurrues.”

Pasojat janë të qarta: më pak mjete në det, më pak peshk në treg, më pak vende pune dhe më pak të ardhura për komunitetin.

Një krizë që nuk prek vetëm peshkatarët

Pyetur se si kjo krizë ndikon tek qytetarët e zakonshëm, Joni dha një përgjigje të qartë: “Nuk është vetëm problemi i peshkatarëve. Është një zinxhir i tërë ekonomik që ndikohet. Nëse mjetet lundruese do të funksiononin në kapacitet të plotë dhe me kushte më të favorshme, do të kishim prodhim më të madh vendas, çmime më të mira për konsumatorin, më shumë punësim dhe më pak varësi nga importet.”

Edhe pse në dukje një çështje e ngushtë profesionale, në thelb kjo është një plagë strukturore që prek gjithë ekonominë vendore.

Nevoja për politika të reja dhe të guximshme

Joni Myshketa thekson nevojën për një qasje të re politike ndaj industrisë së peshkimit. “Duhet një mbështetje e qartë nga shteti për këtë sektor, jo vetëm përmes subvencioneve për karburantin, por edhe me politika të qëndrueshme që garantojnë zhvillim afatgjatë. Peshkimi nuk është thjesht një profesion, është një pjesë e historisë së këtij qyteti.”

Durrësi duhet t’i kthehet detit

Kjo bisedë me Joni Myshketën hedh dritë mbi një realitet që shpesh anashkalohet. Peshkimi nuk është thjesht një çështje teknike apo një hall lokal i peshkatarëve, por një nyje e rëndësishme e ekonomisë së qytetit që kërkon vëmendje dhe vizion.

Qytetet që kanë detin përballë nuk mund të mbijetojnë me shpinë ndaj tij. Durrësi e ka detyrimin ta shohë detin jo vetëm si peizazh, por si mundësi një mundësi që nuk duhet humbur.

Biseda e plotë:

Joni: Një nga plagët e Durrësit është industria e peshkimit, e cila ka një histori të hershme me qytetin, pasi Durrësi ndodhet buzë Adriatikut – një det i mrekullueshëm që ofron produkte shumë cilësore.

Aldo: Çfarë do të bëje ndryshe?

Joni: Do të kisha një qasje më të mirë në drejtim të politikave për mbështetjen e kësaj industrie. Sot janë rreth 140 mjete lundruese, por vetëm 50% e tyre janë funksionale, sepse kanë një problem të madh me çmimin e karburantit. E blejnë me një çmim stratosferik, krahasuar me konkurrentët në rajon – një disavantazh i madh konkurrues. Kjo sjell pasoja edhe në punësim, taksim dhe prodhim. Për shembull, në Greqi, Mal të Zi apo Itali, nafta për mjetet e peshkimit kushton nga 50 deri në 70 lekë për litër me TVSH, ndërsa tek ne shkon deri në 105 lekë me TVSH.

Aldo: Po nga ana e qytetarëve, kjo prek vetëm grupin e peshkatarëve. Shumë qytetarë mund të thonë: “Fundja, pse duhet të më interesojë mua pjesa e peshkarexhave apo peshkatarëve? Çfarë ndikimi ka për mua nëse u ndryshon çmimi i naftës, përveçse një herë në javë kur blej peshk, do kursej dy lekë?”

Joni: Sepse, nga pikëpamja ekonomike, kjo lidhet me një zinxhir të gjerë prodhimi në vend. Nëse mjetet lundruese do të ishin në kapacitet të plotë dhe do të punonin në kushte të favorshme, atëherë do të kishte më shumë prodhim, më shumë punësim dhe ndikim pozitiv në ekonomi në tërësi.