Një krenari kombëtare që mbrohet nga UNESCO, kërcimi i Tropjës dhe ritmet e tij ‘pushtuan’ skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në një koncert festiv mbrëmjen e së premtes. “Me Ritmet e Tropojës” solli me tupan këngë e kërcime të kësaj zone, ndërsa një vend ‘nderi’ zuri sigurisht Kërcimi i Tropojës dhe pjesët më të bukura të tij.
“Sillen në këtë koncert gjërat më të bukura: nisma, lindja e kërcimit dhe si bëhet ky kërcim, për të vijuar më pas me të tjera momente plot ritëm e bukuri: kërcimi me guralecë i vajzave, me instrumente paramuzikorë dhe me krismat e veta onomatopike, vallet e folklorit, që dallohen në Tropoja nga krahina në krahinë, kemi sjellë kostumet e veçanta, secili me motivet e veta, dhe vallet koreografike festive nga grupi folklorik dhe Ansambli i shtetit”, – thotë koerografi Skënder Haklaj.
“Në një nga bisedat tona me Ministrinë e Kulturës erdhi në vëmendjen tonë mundësia për të ndihmuar në pasurinë e padukshme kulturore. Në atë kohë kemi filluar me Elvën dhe suksesi i parë ishte xhubleta. Më pas u vazhdua me sukses me transhumancën, sot me Kërcimin e Tropojës. Është në rrugë eposi i kreshnikëve, jemi duke punuar për Motin e madh dhe ajo që jemi duke punuar me Ministrinë e Kulturës është që të bëjmë gati një paketë të re të kësaj lloj trashëgimie për vendin, e cila është një garë në vetvete mes vendeve të Ballkanit. Nuk vuajmë nga kjo lloj trashëgimie, por duhet vetëm të gjejmë ato elemente thelbësorë dhe atë lloj pasioni, siç pamë këto këngë e valle deri tani.”, – u shpreh Martin Mata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (ADF), në fjalën e tij përshëndetëse para fillimit të koncertit.
Futja e Kërcimit të Tropojës në listën e UNESCO-s është një arritje historike për vendin tonë. Në koncertin e mbajtur për nder të kësaj trashëgimie pati performanca magjepsëse nga bartës të kësaj tradite ndër breza dhe bashkëpunime artistike me grupe folklorike dhe muzikantë të njohur të Tropojës, së bashku me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.