Filmi me metrazh të gjatë “NE TË TREJA”, me regji nga Suela Bako, ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm: është shpallur një nga projektet fituese të financimit nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK). Ky lajm i gëzueshëm shënon një etapë të re në rrugëtimin e këtij projekti artistik që tashmë ka nisur të bëjë jehonë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ky film nuk ka ardhur si një sukses i rastësishëm, por si rezultat i një rruge të gjatë, sfiduese dhe të frymëzuar nga përkushtimi artistik dhe vizioni krijues. “NE TË TREJA” u zhvillua fillimisht në platformën ndërkombëtare MFI (Mediterranean Film Institute), ku hodhi themelet e para si projekt premtues.
Në vazhdim, ai fitoi çmimin për projektin më të mirë dhe regjinë më të mirë në Dot On the Map Industry Days, duke treguar potencialin e tij në skenën ndërkombëtare të kinemasë. Një tjetër arritje madhore ishte përzgjedhja nga programi Creative Europe, ku u vlerësua mes 600 projekteve europiane, duke siguruar një mbështetje të rëndësishme financiare nga Bashkimi Europian.
Tani, me përfshirjen në listën e projekteve të përzgjedhura nga QKK, ky film merr një tjetër shtysë thelbësore për realizimin e tij.
Ekipi i filmit ka shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj Komisionit Përzgjedhës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke theksuar besimin e dhënë dhe duke premtuar se puna që do të vijojë do të jetë në lartësinë e këtij vlerësimi:
“Ju premtojmë që nuk do t’ju zhgënjejmë!”
“NE TË TREJA” po ndërtohet si një vepër që jo vetëm do të ngrejë lart emrin e kinemasë shqiptare në arenën ndërkombëtare, por edhe si një tregim që do të prekë zemrat e publikut.