Të rinjtë dhe fëmijët ishin lexuesit që më së shumti mirëpritën panairin ‘Kamza lexon’, në sheshin ‘Nënë Tereza’ të kësaj bashkie të qarkut Tiranë.
“Kam ardhur të shoh njëherë, pastaj nuk e di. Zakonisht lexoj. Më pëlqen të lexoj romane. I pëlqej të gjitha. Kishte shumëllojshmëri librash dhe ishte diçka që duhej të bëhej këtu.”, – shprehet për “Report TV” një vajzë 15 vjeçare.
“Kemi ardhur për të parë, për të blerë, për të marrë pjesë. Këto panairet nuk janë shumë të shpeshta, por kanë filluar të zhvillohen çdo vit.”, – thotë një grua e re, që ka ardhur në panair me vajzën e saj 7-vjeçare.
“Unë jam shumë e lumtur që jam në panair dhe dua të blej shumë libra.”, – shprehet vajza e vogël.
“I bëj thirrje rinisë të lexojnë të gjithë. Nuk kam marrë akoma libër, por do të dal e do të shoh dhe unë ndonjë gjë interesante. Unë më shumë pëlqej aventurat, drama aventurë, fantastiko-shkencorë.”, – thotë për “Report TV”, një djalë 17-vjeçar.
Profesorë, autorë, studiues, botues, shkrimtarë dhe gazetarë kanë diskutuar dhe do të vijojnë përgjatë tri ditëve të ndajnë mendime mbi përfitimet dhe sfidat që sjell epoka digjitale për librat dhe lexuesit. “Kamza lexon” këtë vit shënon edicionin e katërt të tij./Blerina Goce