Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpall fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për 2025-ën

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpall fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për 2025-ën

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot vlerësimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për vitin 2025. 

Juria, e kryesuar nga shkrimtari Ylljet Alicka dhe me anëtarë pedagogen e letërsisë, Dhurata Shehri dhe gazetaren e kulturës, Arta Marku vlerësuan mes 18 dorëshkrimeve veprat: “Pallati i dëshpërimit” (roman), “Testosteron” (vëllim me tregime), “Shpikja e skandalit në idil”, (vëllim me poezi).

Fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për vitin 2025 janë:

Ena Bulku për romanin “Pallati i dëshpërimit”, nga shtëpia botuese “Ombra GVG” me motivacionin: “Një roman që eksploron në mënyrë fine fatin e individit, botën e tij të brendshme duke përzier erudicionin, poezinë dhe meditimin mbi kohën dhe kujtesën”.

Arbër Selmani për vëllimin me tregime “Testosteron”, nga shtëpia botuese “Albas” me motivacionin: “Proza që shkëlqejnë me intuitë dhe stil në zbulimin e të vërtetave të artit”.

Elvin Nuri për vëllimin poetik “Shpikja e skandalit në idil”, nag shtëpia botuese “Berk”, me motivacionin: “Poezi e vetmisë urbane, që figurën e bën zgjedhje jo dekorative”.

“Do ta konsideroja një ndër fondet më të rëndësishme të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pasi fokusi ynë gjithmonë kanë qenë të rinjtë. Qëllimi i këtij fondi është të mbështesë, por dhe të motivojë krijuesit e rinj me botimet e tyre të para, ata që do të vijojnë rrugën e bukur të shkrimit shqip”, tha Alda Bardhyli, drejtoresha e QKLL.

Kryetari i jurisë, Ylljet Aliçka u shpreh i surprizuar me numrin e aplikimeve që ka pasur këtë vit.

“Ishte një numër i madh aplikimesh. Dhe aplikantët që kishin një nivel të shkruari dhe një kulturë të mirë gjuhësore. Është gjë e mirë për të vijuar tradita e shkrimit në vendin tonë”, u shpreh ndër të tjera Aliçka.

Ndërkohë, me propozimin e jurisë do të mbështeten për botim edhe tre të rinj të tjerë, të cilët janë:

1. Liza Brozi me dorëshkrimin “Vdekja e kukullës” nga shtëpia botuese “Albas”.

2. Antonio Çikollari me dorëshkrimin “Pesë vdekje” nga shtëpia botuese “Albas”.

3. Xhensila Dautllari me dorëshkrimin “Anahera: E fshehta në godinën e pestë” nga shtëpia botuese “Toena”.

Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, profesorë, studiues etj.

Vitin që lamë pas, fitues ishin krijuesit e rinj: Andris Lleskai, Bujar Hoxha dhe Ermal Lala.