Ndrec Pjetri paralajmëron se Shqipëria do të mbetet veçse një emër në hartë, pa popull, pa fuqi punëtore dhe pa të ardhme nëse…

Ndrec Pjetri paralajmëron se Shqipëria do të mbetet veçse një emër në hartë, pa popull, pa fuqi punëtore dhe pa të ardhme nëse…

Në episodin më të fundit të “RevoCast”, kandidati i opozitës për qarkun e Durrësit, Ndrec Pjetri, ngriti një ndër shqetësimet më të mëdha që po tronditin Shqipërinë sot: largimin masiv të shqiptarëve. Në një bisedë me gazetarin Aldo Mustafa, Pjetri dha një pasqyrë të errët të situatës demografike, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë fenomen me modelin qeverisës të Edi Ramës.

Sipas tij, vendi po përjeton një shpopullim sistematik, që nuk ka të bëjë më vetëm me ekonominë apo mungesën e mundësive, por me një plan të heshtur politik për të zbrazur vendin. Ai kujtoi eksodin e viteve 2014–2016, kur u largua shtresa më e pambrojtur që kërkonte punë dhe jetë minimale. Më vonë, sipas tij, u largua edhe shtresa e mesme, mësues, mjekë, punonjës të rendit, duke krijuar një boshllëk të frikshëm në strukturën funksionale të shtetit.

Sot, theksoi ai, po ndodh më e rënda: po ikin edhe ata që janë ekonomikisht të qëndrueshëm. Familje me biznese, profesionistë të kualifikuar, njerëz që nuk kishin mungesa jetike, por thjesht nuk mund të jetonin më në një klimë politike e shoqërore të mbytshme. Sipas Pjetrit, ky nuk është më një largim i nxitur nga nevoja, por nga dëshpërimi dhe humbja totale e shpresës.

Ai e cilësoi këtë si pasojë direkte të një modeli politik që prodhon vetëm kontroll, kapje të institucioneve dhe varfërim moral të shoqërisë. Nëse ky model vijon edhe për katër vjet të tjera, Pjetri paralajmëron se Shqipëria do të mbetet veçse një emër në hartë, pa popull, pa fuqi punëtore dhe pa të ardhme.

Reagimi i tij në “RevoCast” ishte më shumë se një analizë politike, ishte një thirrje alarmi që i flet çdo familjeje shqiptare që ka një të afërm të ikur, çdo prindi që mendon të dërgojë fëmijën jashtë, çdo të riu që ndien se ky vend nuk ofron më asnjë horizont.

Për Pjetri, sfida nuk është vetëm për të ndërruar një qeveri, por për të shpëtuar vetë ekzistencën e Shqipërisë si shoqëri e gjallë dhe aktive.

Biseda e plotë:

Ndrec: Na ka marrë lumi të gjithëve. Me Edi Ramën kryeministër edhe katër vjet të tjera, më beso, ky vend nuk ka më shqiptarë.
Aldo: Pse? Mendon se do t’i largojë të gjithë?
Ndrec: Absolutisht që po, të gjithë!
Aldo: Po a largohen shqiptarët sepse politika është e keqe, apo sepse shohin mungesa reale?
Ndrec: Jo, jo. Është plan i Edi Ramës për t’i larguar. Shiko, kemi pasur një fenomen eksodi në vitet 2014–2016, kur shqiptarët nisën të ikin masivisht. Që nga ajo kohë, 1 milion shqiptarë nuk jetojnë më në Shqipëri. Fillimisht iku shtresa që kishte më shumë nevojë për vende pune. Më pas erdhi radha e shtresës së mesme: mësues, mjekë, policë… edhe ata ikën. Ajo që po ndodh sot është se po ikin ata që realisht janë mirë. Po ikën shtresa që ishte ende në gjendje të mirë ekonomike.