«Shqipëria e Bukur dhe Primitive»
(Shqipëria dhe shqiptarët 100 vjet më parë)
HISTORIKU
Puna për këtë projekt ka nisur rreth dhjetë vjet më parë, kur në vitin 2016, Z. Ken Weissman, drejtori emeritus i Arkivit të Filmit dhe Brodkastit në Bibliotekën e Kongresit të SHBA-së, dërgoi filmin me titullin “Shqipëria e Bukur dhe Primitive”. Filmi, që është pronë e Arkivit të Filmit të LOC, është realizuar nga pedagogët amerikanë Burta dhe Elliot Taylor, të cilët në vitet ’30 jepnin mësim në Shkollën Amerikano-Shqiptare Bujqësore në Golem, Kavajë.
Çifti Taylor kishte si qëllim ta shfaqte filmin në SHBA pas kthimit nga Shqipëria. Shkolla, pjesë e një prej projekteve më të mëdha të qeverisë amerikane dhe e misionit të bordit të jashtëm amerikan, ishte konceptuar të kulmonte me ndërtimin e një universiteti mesdhetar për rreth 10 mijë studentë, sipas modelit të NorthEast University në Illinois, Chicago.
Ky projekt, i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Near East Relief (më pas Near East Foundation), i themeluar dhe drejtuar nga Cleveland Dodge (bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Woodrow Wilson), dhe nga Fondacioni Rockefeller, u ndërpre në vitin 1939 pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, e cila përvetësoi dhe mohoi kontributin amerikan.
Pas rikthimit në SHBA, çifti Taylor tentoi të redaktonte filmin për ta përshtatur për audiencën amerikane. Si një material i prodhuar para epokës së regjistrimeve audio, filmi u realizua me tekst narrativ apo narracion të drejtpërdrejtë gjatë shfaqjes. U përdor një kamerë amatore 16mm bardh e zi, pasi filmi me ngjyra ende nuk ishte shpikur. Ndërhyrjet e mëvonshme të çiftit Taylor e dëmtuan strukturën fizike të filmit. Edhe redaktimi i dytë nuk arriti sukses, ndoshta për shkak të mungesës së fondeve.
Me kalimin e viteve, filmi përfundoi në Librarinë e Kongresit të SHBA, ku u digjitalizua. Detajet për historikun e filmit do të prezantohen nga Z. Ken Weissman gjatë premierës në COD.
PROCESET E PUNËS PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT
Ky dokumentar përfaqëson një nga dëshmitë më të rralla vizuale për historinë e Shqipërisë në fillim të shekullit XX. Në versionin digjital të dërguar nga Z. Weissman, dalloheshin dëmtimet fizike dhe kimike në pelikulë. Filmi nuk kishte audio, regji, apo skenar, dhe shumë prej skenave ishin të montuara në mënyrë të çrregullt, përfshirë disa të kthyer në formën “flip horizontal”.
Në bashkëpunim me Z. Weissman, u ndërmor puna për restaurimin e filmit dhe krijimin e një regjie në konceptin e arkeologjisë filmike, përmes konsultimeve me arkiva dhe banorë të zonave të ndryshme në Shqipëri, për të identifikuar vendet dhe objektet e paraqitura në imazhe.
Materiali u kolorizua përmes software-ve të specializuara, shpesh me ndërhyrje frame pas frame. Pas shumë kërkimesh dhe me ndihmën e Regina Longo, themeluese e projektit Albanian Cinema Project dhe aktualisht punonjëse në LOC, u sigurua audioja e narracionit të Burta Taylor nga Pacific University në Oregon, e regjistruar pak para ndarjes së saj nga jeta. Kjo audio kishte cilësi të dobët dhe kërkoi kohë të gjatë për restaurim dhe përshtatje.
Grafika e filmit u realizua me përpjekjen për t’iu afruar stilit origjinal të çiftit Taylor, duke ruajtur ndjesinë vizuale të fillimit të shek. XX.
Për realizimin e ekspozitës në format 66.81 x 50 cm, u përzgjodhën frame specifike nga filmi. Procesi i përpunimit të këtyre fotove kërkon pajisje të fuqishme kompjuterike dhe software të specializuar, të cilët do të përdoren me qira ditore. Përpunimi përfundimtar kryhet manualisht nga stafi i Albanian Digital Archives, i trajnuar posaçërisht për këtë qëllim.
RËNDËSIA
Filmi dhe ekspozita ofrojnë një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, duke sjellë një pamje autentike të Shqipërisë dhe shqiptarëve 100 vjet më parë. Ato janë burim i rëndësishëm për studiues të fushave të ndryshme: histori, antropologji, etnografi, psikologji, sociologji, arte pamore, dizajn, e të tjera.
KONCEPTI
Projekti është menduar si një narracion pamor që fillon nga ana e majtë e sallës qendrore në hyrje të COD dhe përshkon të gjitha hapësirat si një shirit filmi, duke u mbyllur në krahun e majtë të daljes.
EKSPOZITA
Narracioni pamor është strukturuar në formën e një sekuence të vazhdueshme, e përdorur që nga koha e artit të shpellave prehistorike, e deri në kohët moderne me fotografinë dhe kinematografinë.
TË DHËNAT TEKNIKE
Narracioni fotografik përbëhet nga 162 imazhe të përzgjedhura nga 128,964 frame të filmit, të printuara në forex 5mm, në përmasat 70 x 96 cm, duke respektuar formatin 4:3 të filmit origjinal.
PSE ËSHTË REALIZUAR FILMI ME NGJYRA?
Kolorizimi i filmit është kryer për të përshtatur materialin me shijet dhe pritshmëritë e brezit të ri, të rritur me teknologjinë digjitale. Një film bardh e zi, pa audio, regji dhe ngjyra, do ta kishte bërë të vështirë ndjekjen për më shumë se një orë nga audienca e re, e cila ka tendencën të braktisë përmbajtje të tilla ose të kalojë përmes tyre me shpejtësi në platforma digjitale.
PËRFITIMET
Pas përfundimit të ekspozitës, panelet do t’i kalojnë institucionit të Kryeministrisë dhe COD, për përdorim të mëtejshëm në ekspozita të lëvizshme brenda dhe jashtë vendit, apo për zbukurimin e ambienteve institucionale.
Përdorimi i imazheve nga palë të treta për qëllime fitimprurëse apo të tjera kërkon autorizim nga autori i ekspozitës, duke respektuar të drejtën e autorit.