Konkursi i tretë mbarëkombëtar për letërsinë e humorit! Aktiviteti në nder të shkrimtarit të satirës, Niko Nikolla

Konkursi i tretë mbarëkombëtar për letërsinë e humorit! Aktiviteti në nder të shkrimtarit të satirës, Niko Nikolla

Letërsia e humorit është në qendër të konkursit mbarëkombëtar “Niko Nikolla”, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të tretë. Hapja e edicionit të ri të tij është bërë në një takim informal në godinën që dikur ka shërbyer si redaksia e revistës “Hosteni”.

Ideuar dhe organizuar nga “Albanian Excellence” me drejtore ekzekutive gazetaren dhe producenten Flora Nikolla, të bijën e Niko Nikollës, konkursi synon të nderojë trashëgiminë e shkrimtarit të shquar të humorit dhe satirës shqiptare, si dhe të zbulojë e promovojë talente të reja në këtë fushë.

“Pesë vite më parë e morëm si  iniciativë, së bashku me një grup të vogël mes të cikëve Bujar Kapexhiun për të rivendosur dhe njëherë në shina humorin shqiptar, në dy shtylla kryesore: Letërsia e humorit dhe karikatura shqiptare.”

Ky është i vetmi konkurs i këtij lloji në një hapësirë të gjerë gjeografike për të gjithë shkruesit shqiptarë të letërsisë së humorit kudo ku jetojnë, ndërkohë që në këtë edicion ai do të sjellë një seri aktivitesh kushtuar satirës dhe humorit në një plan të gjerë, duke shërbyer si një shtysë e domosdoshme në zhvillimin humorit dhe satirës, në letërsi dhe në artet pamore. Aktiviteti ka shënuar fillimin e tij në vitin 2020 gjatë periudhës së COVID dhe që në edicionin e tij të parë pati pjesëmarrje të gjerë të artistëve shqiptarë nga 50 shtete, për të krijuara karikatura enkas për këtë vend të vogël ballkanik me temën e pagëzuar nga Bujar Kapexhiu, “Buzëqeshje ballkanike”. Synimi i tij është krijimi i një harte për të gjithë shkruesit e humorit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku janë shqiptarët që shkruajnë humor.

“Në Pogradec rreth 40 autorë morën pjesë me krijimet e tyre: nga Shqipëria, Italia, nga Gjermania, SHBA. Më pas, Bienalja e dytë e karikaturës me temë: Ku shkon botë?  Ishin rreth 100 shtete të botës.”, – thotë Flora Nikolla.

Ndërkohë, në konkursin e dytë, dy vjet më parë, organizatorët u përpoqën të sjellin prozën e letërsisë së humorit dhe autorët që e shkruanin, duke i vlerësuar nga një juri popullore, ku të gjithë ftuarit interpretonin një pjesë të tregimeve të prezantuara në konkurs dhe pjesëmarrësit votonin.

“Edicioni i tretë vjen me pikësynime më të qarta. Situata ku ndodhet letërsia e humorit sot është situatë jo shumë emocionuese apo e favorshme. Në këtë edicion të tretë të konkursit do t’i japim një shtysë për zhvillim kësaj lloj letërsie.”,- shpjegon organizatorja Nikolla.

“Ka shumë pak njerëz që merren me këtë letërsi megjithëse është më e pëlqyeshmja nga lexuesit. Thonë që humori është privilegj i të mençurve. Me sa duket janë pakësuar të mençurit në Shqipëri dhe pak shkruajnë pak humorin. Për të parë nivelin intelektual të një shteti shiko ku është niveli i humorit dhe satirës. Mendoj se ka njerëz që shkriuajnë, por ndoshta nuk ka publicitet. Ndoshta do të duhet që ky grupim humoristësh të bëjë dhe publikimin.”, – thotë karikaturisti dhe shkrimtari Bujar Kapexhiu.

Veprat pjesëmarrëse në konkurs duhet të jenë origjinale dhe të papublikuara më parë. Çdo autor mund të marrë pjesë me maksimumi dy krijime për çdo kategori (prozë: vëllim me tregime, roman, poezi satirike, aforizma, anekdota, fabula, stand-up komedi, skenarë filmi). Veprat duhet të jenë botuar në periudhën 2023- 2025 ndërkohë që ceremonia e shpalljes së fituesve do të bëhet në 5 nëntor  2025 nga juria e përbërë prej Fatmir Toçit (botues), Arta Marku (gazetare),  Agron Llakaj (aktor). Vlera monetare për çdo çmim është 40.000 mijë lekë.