Pas një performance që elektrizoi skenën e Eurovision 2025 në Bazel të Zvicrës, Shkodra Elektronike ka reaguar për herë të parë pas përfundimit të garës.
Në një postim në rrjetet sociale grupi falënderoi publikun për përkrahjen dhe dashurinë, ndërsa theksojnë se dëshironin të fitonin zemrën e publikut dhe në këtë aspekt duket se ia kanë arritur qëllimit.
“Donim të fitonim zemrat tuaja. Duket se ia dolëm. Apo jo? Faleminderit!”, shkruajnë ata në Instagram.
Në skenën e Eurovision 2025 në Bazel, Shqipëria u paraqit me një performancë dinamike që tërhoqi vëmendjen e publikut europian. Shkodra Elektronike interpretoi këngën “Zjerm”, një krijim unik që bashkoi elementë të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare.
Performanca u karakterizua nga energji dhe një vizualitet që solli në skenë simbole kombëtare në një formë bashkëkohore.
“Zjerm” u dallua për stilin e tij të veçantë dhe përpjekjen për të përfaqësuar një identitet muzikor modern që nuk harron rrënjët. Shqipëria arriti të renditej e 8-ta me 218 pikë, prej të cilave 173 pikë erdhën nga publiku.
