Zbulohen dhe restaurohen monedhat e shekullit të 13-të! “Thesari” i gjetur në manastirin e Ballshit

Zbulohen dhe restaurohen monedhat e shekullit të 13-të! “Thesari” i gjetur në manastirin e Ballshit

Nga Blerina Goce 

Janë 47 monedha të zbuluara së fundmi në Manastirin e Ballshit, që i përkasin shekullit të 13-të e saktësisht dhjetëvjeçarit 1230-1240 e që sjellin të dhëna me interes për periudhën e Mesjetës në hapësirën tonë. Të cilësuara si thesar sipas specialistëve të fushës, zbulimi i tyre është i rëndësishëm pasi ndihmon të ndërtohet më mirë kronologjia e historisë së Manastirit. Arkeologu Elio Hobdari, i cili ka bërë edhe zbulimet e monedhave thotë se gjetja e tyre jep të dhëna për periudhën e Mesjetës, për të cilën ka shumë pak kërkime, ndërkohë që edhe vendi ku është gjetur thesari ndihmon për të datuar të gjitha dyshemetë e vendosura. Nga ndërhyrjet restauruese ka dalë në pah që monedhat kanë pësuar ndryshime pas një zjarri, gjë që tregon të dhëna për shkatërrimin e manastirit, që më pas është rindërtuar.

“Bëhet fjalë për 47 ekzemplarë, të cilët janë të perandorisë Bizantine, ato që në gjuhën popullore i quajmë pupac, monedha në formë konkave prej një aliazhi me bazë kryesisht bakri dhe që iu përkasin perandorëve Theodor dhe Manuel të Selanikut. Janë monedha lokale, ballkanike.”, – thotë arkeologu Hobdari.

Specialistët shpjegojnë se po punojnë për të sqaruar më tej fazat e hershme të Manastirit, i cili ka një jetë pak më shumë se njëmijë-vjeçare. Specialisti Frederik Stamati, i cili është marrë me restaurimin dhe konservimin e këtyre monedhave thotë se para restaurimit të tyre nuk mund të dallohej asgjë.

“Fillimisht u punua me mjete për pastrimin mekanik, për të ruajtur patinën poshtë, jeshile, por ishte punë e vështirë dhe delikate se vetë vetë monedhat ishin të përziera me materialet në tokë dhe çdo ndërhyrje e sforcuar çonte në dëmtim të sipërfaqes. Për këtë arsye vendosëm të bëjmë pastrim kimik dhe u arrit të bëhej dukshme sipërfaqja pa shkaktuar asnjë dëmtim. Gjatë procesit pamë se në sipërfaqen e monedhave kishte njolla të zeza dhe u kuptua që mbi to ishte një mineral që krijohet mbi sipërfaqen e bakrit nëse temperatura arrin mbi 300 gradë, që dëshmon se kanë rënë pre e zjarrit.”, -shprehet restauratori Stamati.

Tashmë, pas ndërhyrjes, monedhat janë të sigurta dhe do të jenë të ekspozueshme dhe të studiueshme.