Janë fotografi të artistes Blerta Kambo, të cilat shfaqen në një punë të përbashkët të titulluar “Dashuria është e njëjtë” dhe prezantohen në kuadër të Javës së Evropës në mjediset e Vilës 31-Art Explora në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha.
“Bëhet fjalë për disa printime, që quhet printim rentikular, në të cilat janë tre imazhe të ndryshme në një dhe në varësi të këndit ku ndodhesh sheh tre imazhe të ndryshme. Në këtë rast janë tre çifte të ndryshme dhe secili prej tyre është duke përqafuar personin e zemrës dhe duket sikur janë një, si për të thënë që dashuria është njëlloj për të gjithë dhe ndiejnë njëlloj.”, – thotë fotografja Blerta Kambo.
Shpesh ekziston frika ndaj dashurisë mes seksit të njëjtë, por sipas artistes, njerëzit që duhen nuk janë asnjëherë kërcënim për njerëzit e tjerë.
“Do të kisha dëshirë të ndaleshin një moment dhe të pyesnin se çfarë i pengon dashuria e dikujt tjetër. Për fat të keq kemi një retorikë shumë negative ndaj dashurisë ‘queer’, për shkak se politikanët nuk kanë asgjë tjetër çfarë të ofrojnë dhe thonë po shkatërrohet familja tradicionale, por në fakt familjen nuk e shkatërron dashuria, por urrejtja, përçarja, dhuna. Mesazhi im është pikërisht për ta lënë të lirë dashurinë.”, – vijon artistja.
Punët do të jenë të ekspozuara si instalacione, te kopshti i Vilës 31, për një javë.