Më 11 maj 2025, artisti Algert Sala ka publikuar projektin e tij më të fundit muzikor, një këngë e titulluar “VET”, në bashkëpunim me producentin e mirënjohur elektronik Marin Hoxha. Ky krijim i ri është një reflektim emocional dhe introspektiv.
Kënga vjen me tekst të shkruar nga vetë Algert Sala, i cili edhe këtë herë shfaqet si autor autentik i fjalës dhe emocioneve që përcjell. Në një atmosferë që ndërthur baladën me elemente moderne të muzikës elektronike, beat-i është krijuar nga Marin Hoxha, një nga emrat më të suksesshëm shqiptarë të krijimit të beat-eve. Producentë të këngës janë vetë dyshja: Algert Sala dhe Marin Hoxha, duke e kthyer “VET” në një bashkëpunim të plotë artistik ku çdo element është fryt i përbashkët i kreativitetit të tyre.

Ajo që e veçon këtë projekt është edhe videoklipi emocional dhe i thjeshtë, por i fuqishëm në mesazh, realizuar nga Cut Frame, një studio kreative që njihet për estetikën vizuale që përcjell në ekran. Videoja shfaq Algertin në skena minimaliste, ku vetmia, reflektimi dhe drita që vjen nga brenda bëhen metafora vizuale të përjetimeve të tij personale, ndërkohë që herë pas here skena kthehet tek figurantia dhe balerina bukuroshe e videoklipit Gloria Andoni.

“VET” nuk është thjesht një këngë, por një rrëfim intim, një qasje me veten që kapërcen kufijtë e artit për të trokitur në ndërgjegjen e çdo dëgjuesi që është ndjerë i vetëm. Me një videoklip të ri muzikor dhe një thellësi emocionale, kjo këngë konfirmon edhe njëherë potencialin e jashtëzakonshëm të Algert Salës si artist që di të thotë diçka me këngët e tij dhe që guxon të jetë i vërtetë.
