Dy balete në një shfaqje, ‘përralla’ klasike mbi puante! Muçollari: Risi, përzierja mes klasikes e teknikës balanshin

Dy balete në një shfaqje, ‘përralla’ klasike mbi puante! Muçollari: Risi, përzierja mes klasikes e teknikës balanshin

Nga Blerina Goce 

Janë konceptuar të vijnë në një mbrëmje të vetme, ku bëhen bashkë klasikja, barokja dhe bashkëkohorja. “Kaleidoskop” dhe “Suitë në Re” janë dy baletet e interpretuara për dy net në Tetarin Kombëtar të Operës dhe Baletit e që do interpretohen edhe sot për publikun, duke sjellë emocionet e lëvizjeve klasike mbi puante. Siç është vetë kaleidoskopi, një shfaqje ngjyrash, ashtu është konceptuar edhe ky balet, që për herë të parë është vënë në 2005 në Teatrin e Baletit të Amerikës nga koreografi kanadez Peter Quanz, ndërsa në Shqipëri ka premierën e tij të parë, me një tjetër konceptim dhe kostumografi.

“Është shumë emocionuese sepse ky balet është për formën klasike, muzikën klasike, formën klasike, por parë nga një pikëvështrim bashkëkohor. Çdo gjë është tridimensionale, me imazhe që ndryshojnë si drita që shkon përmes kaleidoskopit.”, – thotë koreografi Peter Quanz.

Kurse “Suitë në re”, koreografia më e re nga Alvaro Dule, mbi tingujt barokë të Handel-it, vendos në skenë pesë balerinë që flasin përmes solove, dueteve dhe kuinteteve, një gjuhë trupi që ndërlidh klasicizmin me ndjeshmërinë bashkëkohore, ndërkohë që në skenë interpretohet drejtpërdrejt muzika në piano.

“Elementi ose motori prinicipal i kësaj vepre është muzika, që më ka frymëzuar. Muzika e suitës për piano në re minor janë vepra të përbëra, të cilat janë të luajtura njëra pas tjetrës. Suitat në formë baroke marrin konceptin nga valle të ndryshme që kanë shpirtin e vet, por janë të harmonizuara në një tonalitet.”, – thotë Dule. 

Balerina Adela Muçollari interpreton në këtë balet, të cilin e vlerëson edhe përsa i përket anës teknike.

“Kjo vepër, e vetmja që ndryshon nga vepra klasike që Adela ka kërcyer ndër vite në TKOB është përzierja mes klasikes dhe teknikës balanshin, një gjë e veçantë dhe risi për teatrin tonë.”, – thotë ajo.