Në një atmosferë plot energji, pasion dhe kreativitet, u zhvillua Takimi i Katërt i Krijuesve dhe Interpretuesve të Rinj, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Shijak, me mbështetjen e Bashkisë Shijak.
Ky konkurs u zhvillua me pjesëmarrjen e nxënësve nga shkollat 9-vjeçare të zonës, të cilët sollën para publikut krijimet e tyre letrare në formën e eseve, prozës dhe poezisë, si dhe interpretimet përmes recitimeve, pjesëve teatrale dhe skeçeve të shkurtra. Fëmijët treguan jo vetëm talent të lindur, por edhe përkushtim të madh për artin dhe fjalën e bukur.
Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, përshëndeti këtë aktivitet përmes një postimi në rrjetet sociale, ku vlerësoi të gjithë pjesëmarrësit dhe nxënësit fitues. Ai uroi përzemërsisht shkollat dhe fëmijët që morën pjesë, duke theksuar se “aktivitete të tilla janë një nxitje për rrugëtimin e tyre krijues në të ardhmen”.
Ky konkurs jo vetëm që u shndërrua në një festë të fjalës artistike, por edhe në një mundësi për fëmijët që të shprehin vetveten dhe të nxisin besimin në aftësitë e tyre. Bashkia Shijak dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve mbeten të përkushtuara në mbështetjen e brezave të rinj dhe zhvillimin e talenteve të tyre në fusha të ndryshme.



