Lëvizja botërore e vitit 1968 në Francë dhe ndikimi që pati në revolucionarizimin e jetës në Shqipëri ishin në qendër të tryezës së mbajtur këtë të enjte në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Sipas pjesëmarrësve, ndonëse vendi ynë ishte nën regjimin komunist, Kjo lëvizje liberaliste, u përqafua edhe nga rinia shqiptare.
“Ndikimi në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm në frymën e një liberalizimi që erdhi. Ky liberalizëm shfaqej kudo: te të rinjtë, në shkolla, në mënyrën e veshjes. Ky liberalizëm ka shkuar deri në burgje.”, – thotë studiuesi Albert Nikolla.
Sa i përket ndikimit të feminizmit në këto vite te gratë në Shqipëri, sipas pedagoges së Shkencave Sociale, Klodiana Beshku, ka qenë një lloj emancipimi si sakrificë.
“Gruaja mund të çlirohej dhe të emancipohej, por vetëm brenda familjes dhe nën efektin dhe drejtimin e partisë-shtet.”, – thotë pedagogia e Shkencave Sociale, Klodiana Beshku.
Aktiviteti u organizua nga komisioni i përhershëm i antropologjisë dhe i trashëgimisë kulturore në Akademinë e Shkencave, në bashkëpunim me Departamentin e shkencave politike të Universitetit të Tiranës dhe me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Viti 1968 në historiografinë botërore tashmë ka hyrë si “viti i demonstratave”. Ajo u karakterizua nga një valë protestash studentore, punëtore dhe shoqërore, që ndodhën në shumë vende të nxitura nga pakënaqësia prej sistemit politik, autoritarizmit, shtypjes sociale, mungesës së lirisë etj.