Tingulli është mjeti më i menjëhershëm për të lidhur kulturat, popujt dhe kohërat. Edhe më herët se gjuha e artikuluar, është akti i emetimit: gjesti atavik i zërit dhe frymëmarrjes, ai që na lidh në një përvojë të përbashkët njerëzore Pikërisht përmes tingullit lidhen edhe Italia dhe Shqipëria përmes instalacioneve dhe performancave të muzikës elektronike, që vijnë në Festivalin “Sequenze & Frequenze”, që këto ditë po mbahet në Tiranë me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës. Aktiviteti ka sjellë në Shqipëri artistë të ndryshëm italianë të muzikës elektronike, siç janë këta të rinj nga konservatori i Pescara-s, të cilët performuan në natën e parë të festivalit në mjediset e “Vila 31-Art Explora”.
“Jemi këtu për të prezantuar një projekt që ka lindur disa javë më parë lidhur me kulturën shqiptare në Itali, të komuniteteve shqiptare që gjenden në Itali e që quhen arbereshë. E kemi nisur këtë projekt për të eksploruar tingëllimin e gjuhës shqipe, duke bërë kërkime në kompozime elektro-akustike.”, – thotë performuesi dhe kompozitori Massimo Ciancarelli.
Nën titullin “Urë” u synua të ndërtohej, nëpërmjet tingullit, një lidhje e thellë midis Abruzzo-s dhe Shqipërisë, dy toka të ndara nga deti, por thellësisht të bashkuara nga historia dhe kultura.
“Kemi zhvilluar punën ‘Ura’, që tani po projektohet në oborrin e Vilës pas kërkimeve në Abruzzo dhe Molisse. Gjetëm një komunitet të vogël arbëresh që ka ruajtur të gjallë lidhjen e tyre me origjinën shqiptare e më konkretisht traditën e ritit katolik bizantin. Kemi regjistruar këngë liturgjike në kisha të ritit bizantin. Ndërkohë kemi takuar edhe një komunitet tjetër të vogël shqiptarësh që na kanë sjellë dëshmi orale dhe i kemi regjistruar vokalisht.”, – thotë performuesi dhe kompozitori Riccardo Cappelluti.
Paralelisht me këtë performancë, tre artistët e rinj, të shoqëruar edhe nga profesori i tyre Andrea Veneri sollën për të pranishmit një performancë me muzikë elektronike në një skenë të veçantë: brenda një pishine!
“Është hera e parë në Shqipëri. Nuk e prisnim diçka të tillë e për më tepër lokacioni që është i pabesueshëm.”, – vijon Cappelluti.
“Puna ime ka qenë ajo e të lidhurit të tingujve natyrorë, si zëri, rezonimi, të folurit, të kënduarit me materialin elektronik dhe e ripunimit të këtij materiali. Unë përdor dy mikrofonë që më shërbejnë për të marrë tingujt e më pas t’i modifikoj me forma të ndryshme digjitale.”, – thotë performuesi dhe kompozitori Francesco De Sanctis.
“Inagurojmë fillimin e një festivali menjë instalacion të muzikës elektronike, “Sequenze & Frequenze”. Janë regjistrime të bëra në Itali, në një vend arbëresh e më pas këtu në Tiranë. Ideja është të bëjmë këtë hartëzim peiazhi zanor, që më pas është ripunuar nga artistët.”, – thotë Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës.
Ky ishte instalacioni dhe performanca e parë e festivalit që zgjat katër ditë. Në vijim, festivali do të mbahet edhe në mjedise të tjera, si: ArTurbina dhe Tunnel Tarrace, ndërsa në të interprtojnë edhe artistë, si: Luca Maria Baldini, Igor Imhoff e Musica Nova, Vittiluçi e Pakkio Sans, Discoplexx etj.