Shijak “Boxing Fight Nights 2” ndez ringun në zemër të qytetit

Shijak “Boxing Fight Nights 2” ndez ringun në zemër të qytetit

Në zemër të Shijakut, në sheshin “29 Nëntori”, mbrëmjen e 1 qershorit, u zhvillua eventi madhështor sportiv “Shijak Boxing Fight Nights 2”, i kthyer tashmë në një traditë vjetore për qytetin.

Organizuar nga Bashkia Shijak në bashkëpunim me Titans Fights, ky spektakël sportivo-kulturor solli në ring ndeshje boksi dhe kickboksi me pjesëmarrjen e sportistëve nga Shqipëria, Kosova, Anglia, Franca, Italia, Portugalia, Nepali dhe Senegali. Nën ritmin e emocioneve dhe shpirtit garues, mbrëmja nisi me katër ndeshje për moshat e reja dhe vijoi me 12 duele të forta midis kampionëve të peshave 60-92 kg.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, theksoi rëndësinë e këtij eventi për komunitetin dhe brezat e rinj:

“Është kënaqësi dhe nder i veçantë të mirëpresim në Shijak një aktivitet që i kushtohet forcës, disiplinës dhe shpirtit garues. Sot nuk jemi thjesht dëshmitarë të ndeshjeve, por të një takimi vlerash. E them me krenari që Shijaku është një qytet mikpritës që e do sportin dhe artin.”

Arbana falënderoi trajnerët Enton Kikrri dhe Fred Shoshi, si dhe uroi mirëseardhjen e sportistëve ndërkombëtarë.

Trajneri dhe organizatori Enton Kikrri theksoi rëndësinë që ky event ka për nxitjen e të rinjve drejt sportit:

“Kemi përfshirë ndeshje boksi dhe kickboksi. Janë sfida shumë të forta. Kemi pjesëmarrës nga Anglia dhe vende të tjera. Organizime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e masivitetit sportiv. Sot kemi 4 ndeshje për shkollarët dhe 12 të tjera me kampionë ndërkombëtarë. Është një nga organizimet më të fuqishme të deritanishme.”

Pjesë e ringut ishte edhe boksieri më i vogël i mbrëmjes, 8-vjeçari Hegel Kërtusha, i cili ndau emocionet e para pas sfidës së tij:

“Kam 4 vite që merrem me këtë sport. Në fillim ka qenë e vështirë, por tani është më e lehtë. Dua të merrem gjithmonë me boks. Ishte hera ime e parë në ring dhe pata pak emocione, por ndeshja ishte e bukur.”

Mes sportistëve të spikatur të natës ishte edhe James “The Flames”, shqiptaro-britaniku nga Londra, fitues në njërën prej përballjeve kryesore:

“Quhem James The Flames, vij nga Londra dhe jam shqiptaro-britanik. Kam jetuar gjithë jetën në Angli, nëna ime është angleze dhe babai shqiptar. Ende nuk e flas mirë shqipen, por po e mësoj gradualisht. Ndeshja e sotme ishte e fortë. Kundërshtari im ishte i zoti dhe ndoshta në të ardhmen do të bëhet edhe më i fortë. Nuk ishte e lehtë të fitoja, sidomos kur më shtynte në cep të ringut – atëherë e ndjeja sa forcë kishte. Tirana, Golemi, Shijaku… Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, kudo që hedh sytë sheh bukuri. Do të rikthehem patjetër!”

Mbrëmja nuk solli vetëm përplasje grushtash, por edhe një atmosferë festive me valle tradicionale shqiptare dhe një program artistik, ku i ftuar special ishte aktori dhe këngëtari Bes Kallaku.

Në këtë natë të veçantë sporti, nuk munguan as figurat e njohura si ish-kampioni absolut Kreshnik Qato, presidenti i Federatës së Boksit Florend Kalivopuli, si dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli.

“Shijak Boxing Fight Nights 2” konfirmoi edhe një herë se boksit në Shqipëri i ka ardhur koha të ngjitet fuqishëm në ringun ndërkombëtar, ndërsa Shijaku, me mikpritjen e tij, bëhet një pikë referimi për sportin dhe talentet e së ardhmes.