U zhvillua prezantimi i librit “Bosco Verticale: Morfologjia e një Pylli Vertikal” në Tiranë

U zhvillua prezantimi i librit “Bosco Verticale: Morfologjia e një Pylli Vertikal” në Tiranë

Më 6 qershor 2025, në Hollin Protokollar të Kryeministrisë, Qendra për Hapje dhe Dialog, në bashkëpunim me studion e njohur të arkitekturës Stefano Boeri Architetti, organizuan me sukses prezantimin e botimit më të fundit “Bosco Verticale: Morfologjia e një Pylli Vertikal”.

Libri, i cili shënoi 10-vjetorin e ndërtesës emblemë Bosco Verticale në Milano, përshkroi rrugëtimin e saj si një model pionier i arkitekturës së qëndrueshme dhe si simbol i një vizioni të ri për qytetet e së ardhmes. Ndërtesa, tashmë e konsideruar një ikonë ndërkombëtare, ka frymëzuar arkitektë dhe qytetarë anembanë botës për të rrethuar jetesën urbane me gjelbërim dhe biodiversitet.

Ngjarja u hap me një fjalë përshëndetëse nga Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij vizioni arkitektonik për të ardhmen urbane të Shqipërisë. Më pas, të pranishmit ndoqën një dialog frymëzues mes arkitektit të mirënjohur Stefano Boeri dhe bashkëpunëtores së tij Francesca Cesa Bianchi, të cilët ndanë historitë, sfidat dhe konceptet që qëndrojnë pas krijimit të “pyllit vertikal”.

Prezantimi u mbajt në gjuhën angleze dhe mblodhi pjesëmarrës nga fusha të ndryshme – arkitektë, urbanistë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve – të cilët shfaqën interes dhe entuziazëm për projektet që lidhin natyrën me urbanen në mënyrë të harmonishme.

Ky aktivitet shënoi një tjetër hap përpara në dialogun për qytete më të gjelbra dhe më të jetueshme në të ardhmen.