Nëse jeni nga ata njerëz që shpesh bëheni ‘darkë’ për mushkonjat ndërsa të tjerët kalojnë pa asnjë pickim, faji mund të mos jetë vetëm tek fati i keq. Sipas një studimi të fundit nga Universiteti Rockefeller në Nju Jork, mushkonjat tërhiqen në mënyrë të veçantë nga disa persona për shkak të një kombinimi kimik që lëkura e tyre lëshon, një ‘aromë’ që këto insekte nuk mund ta injorojnë.
Studiuesit zbuluan se personat që kanë nivel më të lartë të acideve karboksilike në lëkurën e tyre janë deri në 100 herë më tërheqës për mushkonjat e llojit Aedes aegypti, të njohura për përhapjen e sëmundjeve të rrezikshme si dengue, zika, chikungunya dhe ethet e verdha.
Për të shmangur kontaktin direkt me mushkonjat, studiuesit përdorën një metodë kreative: subjektet mbajtën çorape najloni në duar për të mbledhur aromën natyrale të lëkurës. Më pas, çorapet u prenë dhe u vendosën në kuti të posaçme përkrah mushkonjave, të cilat kishin mundësinë të ‘zgjidhnin’ aromën më tërheqëse.
‘Subjekti 33’ doli të ishte ‘fituesi absolut’, pasi mushkonjat e preferuan ndaj çdo tjetri, një sinjal i qartë se diçka në lëkurën e tyre ishte tërheqëse si një thirrje për gjak.
Acidet karboksilike që prodhohen natyrshëm nga sebumi, yndyra e lëkurës, janë konsumuar nga bakteret e dobishme që jetojnë në trupin tonë, duke lëshuar erëra të ngjashme me djathin ose këmbët që mbajnë erë të rëndë. Dhe për mushkonjat femra, të cilat kanë nevojë për gjak për të zhvilluar vezët, kjo aromë është ftesë e parezistueshme.
“Mendojeni si një koktej i pasur proteinash që mushkonjat konsumojnë brenda një minute”, tha Leslie Vosshall, studiuese kryesore e studimit.
Shkencëtarët kanë vënë re se gratë shtatzëna dhe njerëzit që kanë konsumuar birrë tërheqin më shumë mushkonja. Edhe disa lloje sapunësh mund të ndryshojnë aromën e trupit duke e bërë më ‘apetitore’ për këto insekte.
Këto gjetje nxisin kërkime të reja për të kuptuar dhe ndoshta ‘maskuar’ këto aroma, me qëllim që njerëzit të bëhen më pak tërheqës për mushkonjat dhe të ndalohet përhapja e sëmundjeve të rënda.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat shkaktojnë mbi 700,000 vdekje në vit. Me ngrohjen globale, përhapja e mushkonjave si Aedes aegypti po zgjerohet në zona të reja, përfshirë Kaliforninë dhe vendet me klimë më të butë.
Ekspertët rekomandojnë që individët të bëjnë dush rregullisht, të shmangin sapunët me aroma të forta dhe të pastrojnë sidomos zonat e këmbëve, ku aroma është më e përqendruar. Ndërkohë, studiuesit po eksplorojnë mundësinë e krijimit të produkteve të reja si kremra probiotikë, që mund të ndryshojnë mikrobiomën e lëkurës dhe të reduktojnë aromën që tërheq mushkonjat.
“Vetëm kur kuptojmë saktësisht se çfarë i tërheq mushkonjat, mund të gjejmë mënyra për t’i shmangur,” përfundoi Vosshall.
Deri atëherë, mbrojtja më e mirë mbetet sprai anti-mushkonjë dhe mbyllja e dritareve në mbrëmje.