Janë fëmijë të shkollave të ndryshme në kryeqytet, kryesisht të shkollave 9-vjeçare, të cilët përgjatë 10 ditëve mund të pikturojnë apo të interpretojnë në instrumente të ndryshme në hapësirën midis Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe shkollës “Kosova” në Tiranë. Përmes aktivivitit “Estemporania: Ngjyrat e muzikës”, profesori i pikturës Altin Shuaipi në Liceun Artistik fton fëmijët të improvizojnë dhe të luajnë me ngjyra e muzikë.
“Fëmijët janë kënaqur shumë sepse aktiviteti vetë është një formë loje. Estemporania është improvizim. Përdorej në vitet ’50-’60-të në Itali. Jepej një temë dhe improvizohej, në muzikë dhe poezi. Ne e kemi bërë në pikturë. Është bërë me rastin e festës së 1 qershorit. Është pëlqyer.”, – thotë Shuaipi për “Report TV”.
Ai tregon se ky është edicioni i dytë i këtij aktiviteti. Një vit më parë, pjesëmarrës ishin vetëm nxënës të liceut.
“Një vit më parë në qendër kanë qenë pikturat e mjeshtrit shqiptar Ibrahim Kodra. Puna e realizuar prej tij me 9 instrumentistë në një teatër në Palermo dhe nekemi bërë kopje të punëve të tij. Këtë vit tema është ‘Ngjyrat e tingujve’, pra si mund të përkthejmë tingujt e muzikës në pikturë.”
Shumë nga pikturat janë realizuar në grup, të filluar nga një fëmijë e të përfunduara nga të tjerë, gjë që bën që fëmijët edhe të ndërveprojnë dhe luajnë me njëri-tjetrin.
Romina Zhegu studion për piano, por ky aktivitet e ka bërë të provojë edhe gazetarinë e pikturën. Asaj i pëlqen të flasë për një pikturë të realizuar nga një bashkëmoshatare e një shkolle tjetër.
“Ajo quhet Hera Çali. Me guackën, ajo ka prezantuar temën e aktivitetit tonë. Është nga ato guacka që dëgjohet tingulli i detit dhe këto pika janë si pikat e bojës. Arti dhe muzika paraqiten në një pikturë. ‘Ngjyrat e muzikës’ është edhe tema e aktivitetit.”, – thotë Romina.
Edhe Ester Ceni studion në klasën e gjashtë në Lice, por për violinë.
“Kemi takuar shumë nxënës me ide të ndryshme në vizatimet e tyre. Një prej tyre është Kejsi Bala. Është pikturë e Marc Chagall. Është vizatuar me bojëra dhjami dhe është vizatim abstrakt.”, – thotë Esteri.
Edlira Gjoni është mësuese e violonçelit dhe koordinatore e këshillimit të karrierës në Liceun Artistik, një pozicion i hapur për herë të parë në të gjitha shkollat e Shqipërisë, e cila është një ndër organizatoret e aktivitetit.
“Liceun e kanë vizituar 30 shkolla, të cilat vijnë me një test aftësie që e bën po mësuesi që ka dhe pozicionin e këshillimit të karrierës. Aty janë përzgjedhur nxënësit që kanë aftësi të muzikës dhe pikturës. E kanë vizituar shkollën tonë fizikisht. Teoria dhe praktika janë të lidhura dhe shkojnë shumë mirë bashkë dhe kjo ide lindi për t’u ofruar dhe njëherë praktikisht të gjithë fëmijëve që kanë dhunti për artin, të bëjnë këto ditë të hapura.”, – thotë Gjoni.
Detajet teknike të dhëna nga mësuesit i ndihmojnë më tej këta nxënës të zhvillojnë dhuntitë e tyre, ndërkohë që në këtë formë, ata njohin më tepër edhe veten dhe pasionet e tyre.