Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Mos kriminalizoni median, mbroni burimet

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Mos kriminalizoni median, mbroni burimet

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagon pas nisjes së një hetimi penal nga Prokuroria e Tiranës, lidhur me publikimin në media të pamjeve filmike të një ngjarjeje tragjike ku humbi jetën një i mitur. Në një deklaratë të fortë publike, AGSH thekson se gazetarët nuk mund të kthehen në shënjestër të hetimeve për rrjedhje informacioni që vjen nga vetë institucionet. Më poshtë deklarata e plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë po ndjek njoftimin e Prokurorisë së Tiranës për regjistrimin e një procedimi penal për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, pas publikimit në disa media të pamjeve filmike të ngjarjes tragjike ku humbi jetën një i mitur në ambientet e një shkolle publike.

Duke qenë se këto pamje janë pjesë e fashikullit hetimor dhe janë administruar zyrtarisht nga organet proceduese, theksojmë se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të jenë objekt i hetimit për rrjedhjen e këtyre materialeve. Deri në këtë moment nuk ka asnjë tregues se këto prova janë marrë nga media në mënyrë zyrtare apo të drejtpërdrejtë. Prandaj është e qartë se rrjedhja ka ndodhur brenda institucioneve që kanë pasur akses në këtë informacion dhe aty duhet përqendruar edhe hetimi i prokurorisë.

Gazetarët kanë detyrim të informojnë publikun, por në asnjë rrethanë nuk mund të detyrohen të zbulojnë burimet e informacionit. Mbrojtja e burimeve gazetareske është një nga themelet e lirisë së shtypit, e njohur nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

I bëjmë thirrje Prokurorisë të mos cenojë lirinë e medias dhe të qëndrojë larg çdo përpjekjeje për të kriminalizuar punën e gazetarëve. Fokusi i hetimit duhet të jetë identifikimi i personave brenda sistemit të drejtësisë apo institucioneve të tjera publike që kanë shkelur detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit të provave dhe jo ndëshkimi i mediave.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë do të vijojë të mbrojë me forcë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar profesionin e tyre pa presion, kërcënime apo ndëshkim të pajustifikuar.

Ndërkohë ju bëjmë thirrje gazetarëve dhe medias që të vetëpërmbahen në publikimin e pamjeve, cilësimin e ngjarjeve dhe trajrimin e informacioneve sensistive që prekin fëmijët.