Njihet ndërkombëtarisht si gjeniu i hekurudhave. Karl Gega, i lindur nga prindër shqiptarë në Venedikun e vitit 1802, u bë ndër inxhinierët më të njohur të Perandorisë austriake në shekullin e 19, puna e të cilit vijon të vlerësohet edhe sot. Në nderim të tij, studiues, historianë dhe ekspertë të inxhinierisë shqiptarë dhe të huaj mbajtën një konferencë shkencore, që sjell në vëmendje rolin kyç të Karl Gegës në realizimin e linjës hekurudhore të Semmeringut, e para hekurudhë malore në botë, një nga arritjet më të mëdha inxhinierike të kohës.
Profesore Lucia Nadin foli për letrat e ruajtura nga anëtarë të familjes, por edhe stema me simbol pemën, të cilat përforcojnë edhe më shumë origjinën shqiptare të kësaj figure poliedrike.
“Kur isha në Shqipëri në vitet ’90-të, sa herë që shkoja në veri të Shqipërisë, dikush, sidomos në Shkodër më thoshte: Pse nuk bën asgjë për Karl Gegën. Unë atëherë nuk e njihja. Kam pasur interes për të tjera gjëra në këto vite dhe për figura, si: Skënderbeu, Barleti etj., por tani erdhi momenti të mbaja premtimin.”, – thotë Nadin
Por lidhjet e Gegës janë po aq të forta edhe me Italinë apo me Austrisë. Një aspekt i rëndësishëm që sjell në vëmendje Nadin dhe studiues të tjerë, si Pëllumb Xhufi lidhen me prejardhjen e tij nga një familje me rrënjë të përziera etnike, ku rrëfehen migrimet nga Shqipëria drejt rajonit të Gjiri të Kotorrit, më pas jeta në territoret e Republikës së Venedikut dhe shërbimi në marinën e lavdishme veneciane.
“Për mua ishte mahnitëse, se ishte jo vetëm inxhinieri, konstruktori apo një person që shikonte drejt të ardhmes. Ishte mahnitëse kurajoja. Nuk kishte hekurudhë përshembull për të shkuar në male, por ai tha: duhet ta krijojmë. Një person që ëndërron të ardhmen, e që është në gjendje ta ndërtojë. Një burrë që arrin ta bëjë këtë i vetëm dhe falë inteligjencës së tij, kurajos, vullnetit. Është një histori e bukur, që duhet ta njohin dhe të rinjtë.”, – vijon Lucia Nadin.
Shqipëria etnike, Shqipëria Veneciane, Venediku dhe zotërimet e tij detare dhe më pas formimi dhe afirmimi i Karl Gegës në Austri zbulohen përmes këtyre dokumenteve.
“I ati i Karlit, Antoni, ishte kapiten në flotën luftarake të Venedikut. Familja e Karl Gegës vinte nga ky mjedis emigantësh shqiptarë nga malësitë shqiptare të vendosura në qytetet e bregdetit Adriatik, të Dalmacisë por dhe Malit të Zi të sotëm, të cilët kryenin detyrën e stratiotit, pra, të luftëtarit me kalë në mbrojtje të kështjellave veneciane të asaj treve dhe pastaj u kthyen në detarë dhe përfunduan si pronarë anijesh dhe si kapitenë anijesh.”, – thotë historiani Pëllumb Xhufi.
Paralelisht me konferencën shkencore, në katin e poshtëm të Pallatit të Kongreseve në Tiranë është çelur ekspozita kushtuar Karl Gegës, ku prezantohen dokumente origjinale, plane inxhinierike, ilustrime të rralla dhe materiale arkivore. E kuruar nga Lucia Nadin dhe Gjon Radovani, arkitekt dhe projektues, i cili ka ndërtuar strukturën vizuale dhe hapësinore të këtij rrëfimi historik, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 25 qershor. Aktiviteti është organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Musei Civici di Venezia dhe Universitetin për Biznes dhe Teknologji. Edhe pse bëhet fjalë për për figurën më të madhe europiane të hekurudhave, në të dy aktivitetet ka munguar Ministrja e Transportit, Belinda Balluku.