Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sot fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2025, duke përzgjedhur tri dorëshkrime të reja që do të marrin mbështetje për botim. Në një konkurrencë me 19 dorëshkrime nga autorë të ndryshëm, juria e përbërë nga Dr. Albert Gjoka (kryetar), Irena Prici dhe Flori Kasaj, vlerësoi veprat që dalloheshin për risinë, përmbajtjen edukative dhe për stilin e tyre të veçantë rrëfimtar.
Tri librat fitues, që pritet të botohen gjatë këtij viti, janë:
“Enigma e Kësulës së Kuqe” nga Ermir Nika
Motivacioni i jurisë: “Për një lojë intertekstuale postmoderne të përrallës së Kësulkuqes që vjen e dekonstruktuar natyrshëm dhe që nxit më tej kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël përmes një rrëfimi të zhdërvjellët dhe domethënës.”
Ky libër u vlerësua për mënyrën se si e rindërton një nga përrallat më klasike të fëmijërisë, duke e trajtuar me një qasje të re që i fton fëmijët të mendojnë ndryshe dhe më thellë për historitë që njohin.
“Iliri dhe Lepurushi zbulojnë kopshtin zoologjik magjik” nga Flogerta Krypi
Motivacioni i jurisë: “Për sendërtimin e një përralle edukative që kultivon raporte të gjalla mes fëmijëve dhe botës së kafshëve, për vlerat didaktike në formësimin psikologjik dhe emocional të fëmijëve, që vijnë natyrshëm përmes të gjithë elementeve që përmban libri.”
Një rrëfim që përmes aventurës së Ilirit dhe lepurushit të tij, fëmijët njihen me botën e kafshëve dhe zhvillojnë empatinë e tyre ndaj natyrës.
“Dhjetë pyetjet e Ardenit që pritnin përgjigje” nga Raimonda Belli Gjençaj
Motivacioni i jurisë: “Për gjetjen tematike që provokon botën e fëmijëve sot, për një regjistër të hollë humori në rrëfim dhe për jetësimin e vlerave të librit dhe dijes njerëzore tek fëmijët.”
Ky dorëshkrim u vlerësua për mënyrën origjinale me të cilën trajton pyetjet ekzistenciale që fëmijët shtrojnë në përditshmëri, duke u dhënë lexuesve të vegjël hapësirë për të reflektuar dhe për të kuptuar botën.
Fondi i Krijimtarisë Letrare për Fëmijë është një iniciativë vjetore e QKLL-së që ka për qëllim të nxisë letërsinë cilësore për fëmijë dhe të mbështesë autorët shqiptarë në botimin e veprave të reja. Çdo vit, fondi i jep mundësinë tre autorëve të botojnë dorëshkrimet e tyre, duke kontribuar në pasurimin e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe dhe në edukimin estetik e kulturor të brezit të ri.