110 fëmijë, një ëndërr në lëvizje – “Ari’s Angels Dance Show” rikthehet me sukses në Durrës

110 fëmijë, një ëndërr në lëvizje – “Ari’s Angels Dance Show” rikthehet me sukses në Durrës

Mbrëmjen e 13 qershorit, amfiteatri i Durrësit u mbush me emocion, energji dhe ritëm, teksa u zhvillua edicioni i dytë i spektaklit të shumëpritur “Ari’s Angels Dance Show”, nën drejtimin artistik dhe koreografik të Ari Metanit. Me mbi 110 fëmijë që sollën në skenë një mozaik të pasur zhanresh kërcimi, publiku përjetoi një mbrëmje të paharrueshme nën qiellin e hapur të qytetit bregdetar.

Shfaqja, e cila u organizua me mbështetjen e Bashkisë Durrës, Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe Qendrës Muzeore Durrës, u shndërrua në një manifestim të talentit të të rinjve dhe përkushtimit të strukturave artistike lokale.

Krahas Ari Metanit, që mbajti rolin e producentit dhe koreografit, në realizimin e spektaklit investuan edhe asistentet Bana Kuçuku dhe Liza Metani. Së bashku, ata ndërtuan një program artistik të larmishëm, ku vallëzimi u shndërrua në mjet shprehjeje të individualitetit dhe punës së secilit prej fëmijëve pjesëmarrës.

Kostumografia e shumëllojshme dhe skenografia e kuruar me detaje sollën në jetë çdo numër kërcimi, duke krijuar një atmosferë dinamike dhe vizualisht mbresëlënëse. Për afro dy orë, publiku prej më shumë se 400 spektatorësh, mes tyre edhe të huaj, ndoqën me admirim performancat që pasqyronin rrugëtimin e vogëlushëve në “Ari Metani Dance Company”.

Qëllimi i shfaqjes ishte pikërisht ky: të dëshmonte progresin, përpjekjet dhe pasionin që fëmijët kishin zhvilluar gjatë një sezoni intensiv pune. “Ari’s Angels Dance Show” nuk ishte vetëm një spektakël artistik, por edhe një festë për zhvillimin e të rinjve nëpërmjet artit dhe disiplinës së kërcimit.

Ky edicion i dytë dëshmoi se nisma të tilla kulturore jo vetëm gjallërojnë jetën artistike të qytetit, por edhe krijojnë hapësira të shëndetshme për edukimin emocional dhe estetik të brezave të rinj.