Rrënjët që flasin me poezi – Projekti “Rrënjët Tona” ringjall gjuhën arbëreshe përmes vargjeve të Mario Calivà

Rrënjët që flasin me poezi – Projekti “Rrënjët Tona” ringjall gjuhën arbëreshe përmes vargjeve të Mario Calivà

Në një përpjekje për të forcuar lidhjen e brezave të rinj me identitetin dhe trashëgiminë kulturore arbëreshe, shkrimtari arbëresh Mario Calivà ka bashkëpunuar së fundmi me Institutin Arsimor “Skanderbeg” të Piana degli Albanesi në kuadër të projektit “Rrënjët Tona”. Ky projekt ka përfshirë disa nxënës të kësaj shkolle në interpretimin dhe studimin e poezisë së tij “Vjeshti i Zalisur”, shkruar në gjuhën arbëreshe.

Kulmi i projektit u shënua me realizimin e një videoje të veçantë, e xhiruar buzë liqenit të Piana degli Albanesi, ku nxënësit recituan poezinë, duke e sjellë në jetë përmes zërit të tyre dhe peizazhit natyror që pasqyron ndjeshmërinë e vargjeve të Calivàs.

Ka qenë një mënyrë për t’i vendosur nxënësit në kontakt me krijimtarinë poetike bashkëkohore. Mbrojtja e gjuhës kalon edhe përmes letërsisë në gjuhën arbëreshe, dhe është e vlefshme të përfshihen në këto aktivitete nxënësit që në këtë moshë,” – u shpreh vetë autori Mario Calivà, i njohur për përkushtimin e tij ndaj ruajtjes së gjuhës dhe kulturës arbëreshe.

Ky projekt jo vetëm që nxit dashurinë për letërsinë dhe identitetin kulturor tek të rinjtë, por gjithashtu shërben si një formë rezistence kulturore përballë zhdukjes graduale të një trashëgimie të çmuar. Gjuha arbëreshe, e folur prej shekujsh në komunitetet e Italisë jugore, gjen kështu një mënyrë të re për të jetuar, nëpërmjet fjalës poetike dhe angazhimit të brezit të ri.