“Poemë lakuriq” nga Aldo Mustafa

“Poemë lakuriq” nga Aldo Mustafa

POEMË LAKURIQ

A nuk ka sot një poemë, që të flasë mbi shoqërinë tonë?!
Ciklet e përsëritura të viteve të fundit, që rrugëve na lënë!
Një poemë ku të tregojë emigrimin, ndarjen, lotin, humbjen!
Një poemë të shqiptarit të thjesht që endet rrugëve
Të të huajve në vend të huaj dhe të të huajve në vend të tyre
Një rrëfim, emocion, që depërton në thellësinë e popullit tim
Një tregim mitologjik për nga fuqia e durimit nga shtypja
Të një populli që digjet, shkundet, pritet, vritet dhe s’tundet
Qëndrestarëve të këtij rrëfimi, t’u thuret një himn…

A nuk ka sot një shqiptar poet, që të flasë për nënat e vendit të tij
Një poet që të tregojë karakterin, dhembshurinë, fuqinë e tyre
Një poemë për nimfat, zanat, Muj’t dhe Halil’t, e krijuar prej nënave të vendit tim
Një poemë shqipe të fortë, ku të ngrejë figurën e shtypur të feministes
Grave të guximshme që si dridhen sytë, duart, këmbët
Për forcën që kanë duke çuar përpara vendin e fëmijërisë time
Ku nëpërkëmben, përbuzen, priten, vriten dhe kurrë s’dorëzohen
Një poemë skëterrë për burrërinë pa “rr” në asnjë drejtim

A flet dot sot ndonjë poemë e kohës tonë, për fëmijërinë në arrati
Për largimin e tyre përpara kohe, për rritjen me ngut pa asnjë kuptim
Për fëmijët e pafëmijërittë, që nuk njohin lojëra pa djallëzi
Një poemë e bardhë që t’i mësojë, të rriturit sesi të duan fëmijtë
Një poemë të parritur përpara kohe, për të ruajtur ardhmërinë
Një përrallë varg-gjatë pa asnjë shkronjë që të mban larg pafajësinë
Larg armësh, luftrash, telefonash, laptopash, armësh bërthamore në fluturim
Një varg fëmijësh me disa lodra, këngë të bardha me të thjeshtë kuptim

A keni dëgjuar ndonjë poemë, për të moshuarit që ikin në azil
Një poemë për ndërtuesit e kombit, për ata që e ardhmja ishin një ditë
Një poemë lavdiplotë, për të mbijetuarit nga çdo ndryshim
I diktaturës, luftës, mentalitetit, kohës, i modernizmit deri në degradim
Një tregim sesi rritet një komb, sesi dështon po ashtu një të tillë
Një testament nga të moshuarit e kohës, prej gërmash ari që ndër vite rrijnë
Drejt larjeve të mëkateve nga baballarët që shkojnë dhe tek ata që do të vijnë
Ritual që përsëritet, e përsëritet, e përsëritet pa asnjë pushim

A ka sot një poemë shqipe të fortë, nga ato që shajnë politikën
Që krimet dhe genocidet e emigrimit ndër kohë, i marrin në kurrriz si dështim
Një poemë që politikës i drejtohet, me gishta tregues të gjakosur prej grushtit në shtrëngim
Një poemë kujë me shkulje flokësh, çjerrje fytyrash dhe thonjsh me gjak të zi
Masakër ofruar popullit, prej banditësh me kollare dhe drogërash shtegtim
Prej mafje të zhytur në punë zyrtarësh dhe zyrtarësh që bëjnë vetëm sehir
Një rrëfim i rrëfyer prej kohësh, njerëzish, vendesh, popujsh, për një politikë për shpopullim
Genocidesh të kryera ndaj popujve, prej atyre që vetë në krye i ngrejnë
Një poemë zorrëboshe dhe derrash e baldosash, që nuk fryhen as nga asnjë pasuri

A kemi ndonjë poet këtu? Që të flasë të vërtetën e popullit?
Një poet që të flasë për dashurinë, besnikërinë, familjen
Një poet që të flasë për frikën, pasigurinë, dashakeqësinë
Një poet që të tregojë më shumë për lirinë, pavarësinë, drejtësinë, emancipimin, autonominë, sovranitetin, integritetin, paanshmërinë, vetëqeverisjen, ardhmërinë
Një njeri të pakompromistë, brutalist që flet për seksualitetin, homoseksualitetin, pedofiline, abuzimin, tabutë, transgjinitë, erotikën, intimitetin, poligamitë, orgjitë, pornografinë, sadizmin, nekrofilinë, zoofilinë, fetishizmin, incestin, përdhunimin, përdhinimin e shoqërisë…
Një POET të një POEME të SHQIPËRISË
Një poet që të flasë të vërtetën lakuriq.