“Vendi më i humbur në Shqipëri” – Një komedi e re nga Teatri “Aleksandër Moisiu”

“Vendi më i humbur në Shqipëri” – Një komedi e re nga Teatri “Aleksandër Moisiu”

Një fshat i vogël, i harruar nga koha dhe institucionet, rrezikon të fshihet përfundimisht nga harta. Banorët janë të vendosur të bëjnë gjithçka që ky vend të mos shuhet,por gjithçka ndryshon kur në fshat mbërrin një gazetare e famshme, duke sjellë me vete një valë ngjarjesh të papritura, përplasje botëkuptimesh dhe situata komike që sfidojnë logjikën e përditshme.

Kjo është premisa e komedisë së re “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një vepër e autorit francez Jean Pierre Martinez, e përkthyer në shqip nga Anxhela Cikopano, që pritet të vihet në skenë gjatë muajit korrik nën regjinë e Andia Xhungës.

E ndërtuar me humor të hollë dhe ritëm të gjallë, komedia ngre pyetje për ekzistencën, për kujtesën kolektive dhe për mënyrën si realiteti ndërthuret me absurditetin. Një tablo e gjallë shoqërore, ku personazhet përballen me jetën e tyre të heshtur që papritur vendoset nën dritën e kamerave dhe syve kureshtarë.

Elementët vizualë dhe atmosferikë të shfaqjes janë konceptuar nga skenografja dhe kostumografja Alketa Tragaj, ndërsa kolona zanore origjinale mban firmën e Endri Sinës.

Në kastin e aktorëve që do të ngjiten në skenë për këtë produksion marrin pjesë emra të njohur të teatrit dhe ekranit:
Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma, një trupë që premton emocion, profesionalizëm dhe humor të klasit të parë.

Video-promo është realizuar nga Florian Agalliu, duke ofruar një parathënie vizuale për atmosferën që do të sjellë shfaqja në teatër.

“Vendi më i humbur në Shqipëri” pritet të jetë një nga ngjarjet më të veçanta të teatrit shqiptar këtë verë, një komedi që na bën të qeshim dhe të mendojmë njëkohësisht.

Mos e humbisni!

Për më shumë informohuni këtu!