Një natë e jashtëzakonshme arti bashkëkohor pritet të ngjallë Amfiteatrin e Durrësit më 11 Korrik

Një natë e jashtëzakonshme arti bashkëkohor pritet të ngjallë Amfiteatrin e Durrësit më 11 Korrik

Më 11 korrik 2025, në arenën historike të Amfiteatrit të Durrësit, pritet të zhvillohet një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, një shfaqje multidisiplinare e artit performativ bashkëkohor, e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB) dhe drejtorin e tij artistik, Edi Blloshmi.

Programi i kësaj mbrëmjeje unike parashikohet të sjellë në skenën e lashtë të Durrësit tri vepra të fuqishme që mishërojnë shpirtin e baletit modern dhe thellësinë e eksperiencës njerëzore. Dy prej tyre, të zgjedhura nga repertori i TKOB, janë:


– “Intricate Threads of Humanity”, një koreografi e ndjeshme dhe filozofike nga Erion Kruja, që shpalos lëvizjen si një rrëfim të ndërlikuar të marrëdhënieve njerëzore;

-“Cantata” e Mauro Bigonzettit, një eksplodim i gjallë i emocioneve dhe energjisë mesdhetare, që ndërthur baletin me ritmet popullore italiane.

Kulmi i mbrëmjes pritet të jetë prezantimi për herë të parë në Shqipëri i veprës “Critical Mass” nga koreografi britanik me famë ndërkombëtare Russell Maliphant, një krijim i ftuar nga Lyon Ballet Opera dhe i sjellë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Edi Blloshmin. Kjo vepër, e përshkuar nga tensioni koreografik dhe kërkimi estetik, pritet të jetë një eksperiencë që sfidon kufijtë tradicionalë të performancës në hapësira historike.