A po sakrifikojnë prindërit sigurinë emocionale të fëmijëve të tyre për shkak të trendeve si kukulla Labubu? – Nga MSc. Psikologe Klinike Liljana Resulaj

A po sakrifikojnë prindërit sigurinë emocionale të fëmijëve të tyre për shkak të trendeve si kukulla Labubu? – Nga MSc. Psikologe Klinike Liljana Resulaj

Në kohët e sotme, fëmijëria është gjithnjë e më shumë nën ndikimin e rrjeteve sociale dhe konsumizmit modern. Lodrat, që dikur ishin thjesht mjete për lojë dhe zhvillim kreativ, sot janë kthyer në simbole statusi dhe pjesë të trendeve virale. Një prej këtyre fenomeneve është kukulla Labubu, një lodër me pamje të pazakontë që ka marrë përmasa globale në TikTok, Instagram dhe YouTube. Por në këtë garë të padukshme për të qenë “në modë”, lind një pyetje shqetësuese: A po sakrifikojnë prindërit sigurinë emocionale të fëmijëve të tyre për t’iu përshtatur trendeve të momentit?

Siguria emocionale është aftësia e një fëmije për të ndjerë që është i dashur, i pranuar dhe i mbrojtur në një ambient të qëndrueshëm emocional. Gjë që sigurohet nga një lidhje e ngushtë e fëmijës me kujdestarin kryesor, ku pjesën më të madhe të rasteve është prindi. Kjo lidhje ndihmon në ndërtimin e vetëbesimit, vetëvlerësimit dhe aftësisë për të përballuar emocionet negative.

Kur një prind i ofron fëmijës një lodër thjesht sepse ajo është virale, pa marrë parasysh përmbajtjen emocionale që ajo përçon, mund të ndodhë një shkëputje nga nevojat e vërteta të fëmijës. Kjo shkëputje quhet “mosndjeshmëri emocionale prindërore” e cila, nëse ndodh vazhdimisht, mund të ndikojë negativisht në zhvillimin emocional të fëmijës.

Në thelb, shumë prindër nuk blejnë lodra si Labubu sepse e konsiderojnë të përshtatshme për zhvillimin e fëmijës, por për të mos e lënë “jashtë” grupit. Në psikologji kjo quhet frika nga përjashtimi social (Fear of Missing Out – FOMO), e cila tani po përçohet nga prindërit tek fëmijët. Megjithatë, përpjekja për ta kënaqur fëmijën me çdo kusht, vetëm për t’u përshtatur me një trend, mund të çojë në hiperstimulim emocional, varësi ndaj vlerësimeve të jashtme dhe mungesë të stabilitetit të brendshëm.

Për më tepër, lodra si Labubu, të cilat kanë një pamje të çuditshme dhe shpesh të frikshme për fëmijët më të vegjël, mund të shkaktojnë pasiguri emocionale, ankth ose konfuzion mes reales dhe fantazisë. Në vend që të zhvillojnë imagjinatën e fëmijës në mënyrë të natyrshme, këto lodra shpesh ndikojnë në mënyrë të pavetëdijshme në ndërtimin e një bote të brendshme të paqëndrueshme dhe të frikshme.

Shpesh, në vend që të kalojnë kohë me fëmijët, prindërit përpiqen të kompensojnë mungesën e vëmendjes emocionale me dhurata materiale. Ky është një fenomen i njohur si kompensim emocional përmes konsumit. Edhe pse duket si një akt dashurie, në të vërtetë mund të krijojë një boshllëk emocional, ku fëmija mëson se dashuria është e kushtëzuar nga objekti, jo nga lidhja njerëzore.

Çfarë mund të bëjmë ndryshe?

Prindërit kanë nevojë të rimendojnë rolin e tyre si udhëheqës emocionalë. Lodrat duhet të zgjidhen me kujdes, në përputhje me moshën, ndjeshmërinë dhe nevojat psikologjike të fëmijës. Përpara se të blejmë një lodër si Labubu, le të pyesim veten:

A është kjo lodër në përputhje me emocionet e fëmijës tim?
A po i mësoj atij që vlera e tij vjen nga vetja apo nga objekti që zotëron?
A është kjo një përgjigje ndaj një nevoje reale apo ndaj një presioni social?

Prindërimi nuk është vetëm ofrim ushqimi, strehimi apo lodrash, është ndërtim marrëdhëniesh, ndjeshmëri dhe kujdes i vazhdueshëm emocional. Në një botë ku trendet ndryshojnë çdo ditë, ajo që fëmija ka nevojë më shumë se çdo kukull virale është një prind emocionalisht i pranishëm. Vetëm kështu mund të rrisim fëmijë të qëndrueshëm, të dashur dhe të sigurt në vetvete.