Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Tiranë, Bashkia Shijak ka përfunduar procesin e azhornimit të të dhënave kadastrale në disa zona rurale të njësisë administrative Gjepalaj, përfshirë fshatrat Shetel, Shahinaj, një pjesë të Likeshit, si dhe disa fshatra të tjerë, pjesërisht, aty ku ishte e nevojshme.
Procesi është zhvilluar në terren, me angazhim të drejtpërdrejtë të strukturave të bashkisë, të cilat kanë ndjekur parcelë më parcelë gjendjen ekzistuese të pronave, duke përgatitur dokumentacionin përkatës dhe duke përcjellë të dhëna të sakta në Drejtorinë Qendrore Dixhitale të ASHK-së.
Sipas njoftimit të bërë nga kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, ky është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së problematikave shumëvjeçare të pronësisë, të cilat kanë mbetur pezull që prej vitit 1991. Sipas tij, procesi është finalizuar pa qenë e nevojshme ndërhyrja fizike e punonjësve të ASHK-së në terren, çka përshpejtoi dhe thjeshtoi ndjeshëm ecurinë e punës.
Zgjidhja e kësaj çështjeje pritet të sjellë lehtësira për banorët, duke rritur sigurinë juridike të pronës dhe duke hapur rrugë për procedura të mëtejshme si legalizimi, regjistrimi apo transaksionet ligjore të pasurive të paluajtshme.
Ky zhvillim përbën një shembull të punës së koordinuar ndërinstitucionale për adresimin e problemeve strukturore në zonat rurale dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.




