Shfaqja teatrale “Vendi më i humbur në Shqipëri” ka rezultuar një nga ngjarjet më të suksesshme të teatrit këtë verë, duke shënuar 6 netë shfaqje “sold out”, madje para se të mbërrinin datat përkatëse të shfaqjes.
E vendosur në skenë nën regjinë e Andia Xhungës, me tekst nga Jean Pierre Martinez, shqipëruar nga Anxhela Cikopano, kjo komedi ka tërhequr vëmendjen dhe entuziazmin e publikut që në ditët e para të promovimit. Historia e një fshati të harruar, që përballet me rrezikun e zhdukjes, dhe kthesat komike që vijnë pas mbërritjes së një gazetarje të famshme, ka bërë për vete audiencën, duke sjellë sallat plot për çdo natë të shfaqjes.

Interesimi i lartë ka vijuar edhe pas plotësimit të vendeve për të gjashta netët, duke shtuar kërkesat për shfaqje të tjera në vazhdim, të cilat priten të njoftohen së shpejti nga produksioni.
Me skenografinë dhe kostumet e Alketa Tragajt dhe muzikën origjinale të Endri Sinës, “Vendi më i humbur në Shqipëri” ka krijuar një atmosferë unike në skenë.
Në kastin e aktorëve shkëlqejnë emra të njohur si:
Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma.
Sonte mbahet shfaqja e fundit, në arenën e Amfiteatrit, sërish të tejmbushur, por pritshmëritë janë që kjo komedi të rikthehet së shpejti për netë të tjera. Suksesi i saj dëshmon për nevojën e publikut shqiptar për teatër të gjallë, me tematikë të afërt dhe humor të mençur.

