Më 5 gusht 2025, ora 20:30, Amfiteatri Antik i Durrësit do të shndërrohet në një skenë emocionesh të rralla, ku muzika, historia dhe arti do të ndërthuren në mënyrë madhështore. Me një koncert që premton të mbetet gjatë në kujtesën e publikut, Inva Mula, një nga emrat më të mëdhenj të operas shqiptare dhe asaj botërore, rikthehet pas shumë vitesh në qytetin bregdetar që ka shkruar faqe të rëndësishme të historisë kulturore shqiptare.
Nën titullin “Meloditë e Mesdheut”, ky koncert sjell një udhëtim përmes tingujve të ngrohtë e pasionantë të Mesdheut, me interpretimin mjeshtëror të sopranos së famshme Inva Mula dhe dy instrumentistëve virtuozë Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violinçel.
Publiku do të ketë rastin të përjetojë një përballje unike me emocione të thella, të skalitura nga mjeshtëria dhe përkushtimi i tre artistëve që ndajnë jo vetëm skenën, por edhe një vizion të përbashkët për fuqinë e muzikës si gjuhë universale.
Në zemër të një mjedisi arkeologjik të pashembullt, siç është Amfiteatri i Durrësit, “Meloditë e Mesdheut” premtojnë të jenë më shumë se një koncert, një përjetim i plotë artistik që fton publikun të rizbulojë thellësinë e ndjenjave përmes muzikës së gjallë.
Mos e humbisni!
