“Mes ujërave” – Poezi nga Mimoza Marjanaku

“Mes ujërave” – Poezi nga Mimoza Marjanaku

“Mes ujerave”

E ujshme,

e rrjedhshme,

termike –

Grua!

Kur linda,

lotët e nënës

frynë ujërat syve të mi,

e qava.

Qava për gjyshërit

që deshën djalë.

Qava

në kapërcyell të vajzërisë,

kur veten pashë grua.

Kur nga nëna u ndava,

qava pse nëna qau.

Mes ujërave,

kur placenta më besoi birin në gji,

qava nga lumturia e paprovuar.

Pluskova mbi te qara!

Kam qarë

kur të desha,

kur më deshe,

kur më humbe,

kur më gjete.

Ti,

kumbari i bukurisë sime –

gjithmonë

i lëngshëm.

16/08/2025. Sarande!