“MBI QILIM FLUTURUES” – POEZI NGA ANDI MEÇAJ

“MBI QILIM FLUTURUES” – POEZI NGA ANDI MEÇAJ

MBI QILIM FLUTURUES

Mbi qilim fluturues,

mbërriti arixhiu farfuritës,

arusha e tij e plakur.

Konia që fliste gjuhë të huaja,

u fishkëllye,

nuk dinte gjuhën e vendit.

Këndonte ninulla

arixheshka pa dhëmbë,

disa i kishte zënë gjumi,

si kuajt në këmbë.

Arixhiu i ri gëlltiste zjarr,

arixheshka e re

në vijat e pëllëmbës

ta rrëfente fatin,

si të lexonte një radiografi.

Papritur plasi

sirena e policisë,

si varkë e shpuar

që kërkon ndihmë,

dy barkmëdhenj u shfaqën,

ecnin duke u tundur,

më thanë:

-Zotëri,

s’keni leje t’u lexoni

njerëzve përralla,

përrallat ua lexojnë

ata lart.

I nisa arixhinjtë e mi

tërë përqafime e të puthura,

mbi qilimin e tyre fluturues,

duke u tundur

si shami lamtumire,

librin tim më të dashur

“Një mijë e një netë”.

(Në foto: “Në një ishull të Egjeut”.)