Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës njoftoi se ndodhet në gatishmëri të plotë për shkak të kushteve të vështira atmosferike që kanë përfshirë qytetin. Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e ndërmarrjes janë shpërndarë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të zgjidhur çdo problematikë që mund të shkaktojë reshjet intensive.
Qëllimi kryesor, sipas institucionit, është sigurimi i vijueshmërisë së shërbimit dhe mbrojtja e qytetarëve nga pasojat që mund të sjellë moti i keq. Në komunikim, Ujësjellës-Kanalizime Durrës falënderoi stafet për angazhimin si dhe qytetarët për mirëkuptimin në këto situata atmosferike të vështira.
Ky reagim vjen pas reshjeve të dendura që kanë krijuar vështirësi në disa akse rrugore të qytetit, duke bërë që ndërhyrja e shpejtë të jetë e domosdoshme për menaxhimin e situatës.




