“Vendi më i humbur në Shqipëri” në skenën e KoKo Fest & dokumentari ekskluziv i RevoCast

“Vendi më i humbur në Shqipëri” në skenën e KoKo Fest & dokumentari ekskluziv i RevoCast

Festivali i komedisë KoKo Fest vijon sot në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, ku publiku do të ndjekë shfaqjen “Vendi më i humbur në Shqipëri”, sjellë nga Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit.

Kjo komedi e autorit francez Jean Pierre Martinez, e përkthyer nga Anxhela Cikopano dhe vënë në skenë nën regjinë e Andia Xhungës, tregon historinë e një fshati të harruar nga koha dhe institucionet, i cili rrezikon të zhduket nga harta. Situata ndryshon papritur me mbërritjen e një gazetarje të famshme, duke sjellë përplasje idesh, humor të hollë dhe situata absurde.

Në kast marrin pjesë aktorë të njohur si Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma, ndërsa skenografia dhe kostumet mbajnë firmën e Alketa Tragajt dhe muzika origjinale është kompozuar nga Endri Sina.

Pas suksesit të premierës në Amfiteatrin e lashtë të Durrësit dhe në skenën e ArTurbinës, kjo shfaqje vjen e shoqëruar edhe me një risi të veçantë: më 4 shtator, në orën 21:15, do të shfaqet për herë të parë një dokumentar ekskluziv i RevoCast, prodhuar nga Aldo Mustafa.

Dokumentari sjell një vështrim të rrallë mbi prapaskenat e teatrit shqiptar, duke ndjekur punën intensive të verës: ndërtimin e skenës, krijimin e kostumeve, muzikën origjinale, provat dhe emocionet e aktorëve. Përmes dëshmive personale të Romir Zallës, Mimoza Marjanakut, Aleksandër Seitajt, Ervin Dokos, Amos Zaharias, Alesia Xhemalajt, Adelinës Muça, Xhejni Famës dhe Jaho Gumës, publiku do të zbulojë batuta spontane, sfida të vërteta dhe pasionin e madh që e ktheu këtë komedi në një prej kulmeve kulturore të verës.

Ky dokumentar, i pari i këtij formati nga RevoCast, ofron jo vetëm një rrëfim artistik, por edhe një model inovativ për mënyrën se si arti shqiptar mund të dokumentohet dhe të ndahet me publikun.