Mbrëmjen e sotme, në orën 21:15, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të ndjekë premierën e dokumentarit të posaçëm kushtuar komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një prodhim i RevoCast nga Aldo Mustafa. Dokumentari do të transmetohet live në kanalin zyrtar të YouTube të RevoKult si edhe në faqet zyrtare në Facebook të Teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe RevoKult.
Një rrëfim që shkon përtej skenës
Përgjatë muajit korrik, Amfiteatri i lashtë i Durrësit u gjallërua me të qeshura, duartrokitje dhe emocion nga komedia e autorit francez Jean Pierre Martinez, përkthyer nga Anxhela Cikopano dhe vënë në skenë nën regjinë e Andia Xhungës. Shfaqja, me një kast të shkëlqyer aktorësh, u kthye në një ndër ngjarjet kulturore më të spikatura të verës.
Dokumentari sjell për herë të parë për publikun atë që fshihet pas dritave të skenës: provat intensive, punën e palodhur të skenografes dhe kostumografes Alketa Tragaj Myshketa, muzikën origjinale të Endri Sinës, si edhe momentet e ngarkuara me humor, tension e pasion të aktorëve në përgatitje.
Aktorët dhe emocionet e tyre
Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma ndajnë me publikun kujtime nga provat, batuta spontane dhe përjetime personale, duke zbuluar anën njerëzore të artistëve jashtë roleve të tyre.
Një format i ri: RevoCast dokumentar
Ky projekt shënon një hap të ri për RevoCast, i cili për herë të parë vjen në formën e një dokumentari vizual, duke ofruar një përvojë të rrallë mbi procesin krijues të një shfaqjeje teatri.
Ku ta ndiqni
Premiera online do të transmetohet sonte, ora 21:15, në:
Ky nuk është thjesht një dokumentar mbi një shfaqje, por një ftesë për të parë artin nga brenda, për të kuptuar sa shumë pasion, përkushtim dhe shpirt fshihen pas orëve magjike në skenë.

