Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, që u zhvillua të enjten, më 18 shtator 2025, në COD, Qendrën për Hapje dhe Dialog, u shfaqën dy dokumentarë të fuqishëm që sollën histori reale dhe të domosdoshme për t’u dëgjuar.
Seanca filmike nisi në orën 13:00 me dokumentarin “Conventions of Contrats” të regjisorit grek Stefanos Mondelos (2024, 26 minuta), një vepër që hapi rrugën për reflektim mbi marrëdhëniet sociale dhe kontradiktat që i shoqërojnë.
Më pas, në orën 13:30, publiku ndoqi dokumentarin “We Iranian Women” të regjisoreve italiane Sabina Fedeli dhe Anna Migotto (2023, 57 minuta), i cili solli dëshmi të fuqishme mbi përvojat dhe betejat e grave iraniane për të drejtat e tyre.
Pas shfaqjeve u mbajt një diskutim i hapur, ku të pranishmit morën pjesë aktivisht, duke ndarë reflektime dhe pyetje mbi temat e trajtuara. Aktiviteti u shoqërua me një atmosferë dialogu dhe ndërgjegjësimi të thellë, duke përforcuar mesazhin se arti kinematografik mund të shërbejë si një mjet i fuqishëm për të ngritur zërin mbi çështjet e të drejtave të njeriut.
Hyrja ka qenë e lirë dhe aktiviteti ka tërhequr një audiencë të gjerë, duke e kthyer këtë ditë të festivalit në një udhëtim artistik me ndikim të fortë shoqëror.
