Sopranoja e njohur Luiza Çako Papa ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare
Bota e artit shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të sopranos së shquar Luiza Çako Papa, në moshën 88-vjeçare. Ajo ishte bashkëshortja e legjendës së muzikës operistike Gaqo Çako dhe nëna e kantautorit të njohur Pirro Çako.
Luiza Çako ka lënë pas një karrierë të pasur dhe të gjatë, me interpretime të paharrueshme që mbeten pjesë e historisë së artit shqiptar. Ajo u vlerësua jo vetëm për talentin e saj të rrallë dhe përkushtimin në skenë, por edhe për kontributin e vyer që i dha muzikës dhe kulturës në vend.
Përveç artit, Luiza Çako njihej si një nga gratë më të bukura dhe elegante të viteve ’60. Ajo përshkruhet si një figurë që të gjithë kthenin kokën kur kalonte në rrugët e Tiranës. Femrat e asaj kohe shpesh e merrnin si model për stilin e saj modern perëndimor, për veshjet plot finesë dhe topuzin e famshëm, i cili i jepte një pamje aristokratike dhe mbretërore.
Shpesh e krahasonin me Sophia Loren për trupin e skalitur dhe me një divë kinemaje për bukurinë e harmonishme të fytyrës. Pas fejesës me tenorin e madh Gaqo Çako, ajo u bë edhe më e kujdesshme për pamjen e jashtme, duke u shndërruar në një ikonë elegance dhe stili.
Me humbjen e Luizës, arti shqiptar humbet një tjetër emër të çmuar, ndërsa kujtimi i saj do të mbetet i gjallë përmes veprës dhe figurës së saj.
Gaqo Çako, bashkëshorti i saj dhe një nga tenorët më të shquar shqiptarë, ndërroi jetë më 1 gusht 2018, në moshën 83-vjeçare, në banesën e tij në Tiranë.
