Në vitin 1994, fotografi italian Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma humanitare për një popull të varfër, që sapo kishte hyrë në rrugën e re të demokracisë.
Pas më shumë se tre dekadash, ai është rikthyer sërish, këtë herë jo me ndihma, por me art: një ekspozitë me 30 fotografi të realizuara gjatë atyre viteve të vështira, të cilat sjellin në kujtesë realitetin e Shqipërisë së pastranzicionit.
Pamjet e tij pasqyrojnë jetën në zonat e thella të Nënshatit, por edhe në Durrësin bregdetar, ku ende shiheshin karroca duke lëvizur në qendrën historike të qytetit. Në kujtimet e Bellesias, shqiptarët i kishin lënë mbresë si njerëz të buzëqeshur e mikpritës, ndërsa sot ai sheh me admirim ndryshimin dhe rilindjen e vendit.
Ekspozita “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” u çel me mbështetjen e Foto Klubit të sapokrijuar në Durrës, nën drejtimin e fotografit Palush Jorgji, i cili theksoi se tashmë edhe Shqipëria i është bashkuar vendeve të tjera të rajonit që kanë klube profesionistësh të këtij arti.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij, shoqata “Durrësi Autokton” e nderoi Bellesian me titullin “Mirënjohja e qytetit”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë fundjavës.
