Ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm për lavazhet në Durrës dhe rrethina – Task Forca e UKD nis aksionin në terren

Ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm për lavazhet në Durrës dhe rrethina – Task Forca e UKD nis aksionin në terren

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) ka nisur një aksion të gjerë për ndërprerjen e kontratave të furnizimit me ujë për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet si lavazhe në zonën që mbulon kjo shoqëri. Vendimi bazohet në një VKM dhe në urdhrin e brendshëm të SHRUKD, me qëllim menaxhimin më të mirë të burimeve ujore dhe garantimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm për qytetarët.

Që prej ditës së djeshme, njësia Task Forcë pranë SHRUKD ka zbritur në terren për të zbatuar këtë masë. Drejtori i njësisë, Julian Beshiri, theksoi se nga ky moment asnjë subjekt lavazh nuk do të mund të furnizohet më me ujë nga rrjeti i ujësjellësit publik.

“Asnjë lavazh nuk do të marrë më ujë nga rrjeti i ujësjellësit. Subjektet që duan të vijojnë aktivitetin, mund të përdorin ujë nga puset e tyre, por jo më ujin e pijshëm,” – deklaroi Beshiri.

Sipas drejtuesve të shoqërisë, rreth një muaj më parë të gjitha subjektet janë njoftuar paraprakisht për këtë vendim, në mënyrë që të kishin kohën e nevojshme për të gjetur alternativa të tjera furnizimi.

Aksioni do të shtrihet në të gjithë territorin që mbulon SHRUKD, përfshirë Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën, Shijakun dhe Krujën, ku aktualisht funksionojnë rreth 300 lavazhe.

Ky vendim synon jo vetëm kursimin e ujit të pijshëm, por edhe rishpërndarjen më të drejtë të burimeve ujore, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për familjet dhe bizneset prioritare.