Një studim i udhëhequr nga psikologia Dr. Gail Matthews, profesore në Dominican University of California, ka treguar se njerëzit që shkruajnë qëllimet e tyre kanë deri në 42% më shumë gjasa t’i arrijnë ato krahasuar me ata që nuk i shkruajnë fare. Kërkimi, i cili përfshiu mbi 250 pjesëmarrës nga fusha të ndryshme të jetës, zbuloi gjithashtu se ata që, përveç se i shkruan, i ndanë qëllimet me një mik dhe dërgonin raporte javore për përparimin e tyre, patën rezultate ndjeshëm më të mira. Sipas një raporti të CNBC, kjo grupë arriti pothuajse gjysmën më shumë të qëllimeve të vendosura krahasuar me pjesëmarrësit që vetëm i kishin menduar ato.
Por përse ndodh kjo? Fuqia e shkrimit qëndron në mënyrën se si ai aktivizon trurin. Kur një person i hedh qëllimet në letër, krijon qartësi, përgjegjësi dhe përforcim mendor. Procesi i shkrimit e detyron të përcaktojë saktë çfarë dëshiron, të ndjekë ecurinë dhe të angazhohet ndaj veprimit. Kjo aktivizon disa shtigje njohëse në tru, duke bërë që qëllimet të duken më reale dhe të arritshme.
Interesant është fakti se studimi i Matthews zbuloi edhe një tjetër element të rëndësishëm: ndarja e qëllimeve me të tjerët. Pjesëmarrësit që përfshinë një mik në procesin e vendosjes së qëllimeve dhe raportuan ecurinë e tyre, treguan më shumë përkushtim dhe qëndrueshmëri. Kjo tregon se përgjegjësia shoqërore luan një rol të fortë në arritjen e suksesit.
Edhe pse shifra 42% lidhet specifikisht me këtë studim, mesazhi që del prej tij përforcohet nga shumë burime të tjera: qëllimet e shkruara funksionojnë më mirë se ato të menduara. Nëse dëshiron zhvillim personal, arritje profesionale apo përmbushje krijuese, shkruaji qëllimet e tua, në letër ose në ekran. Ky veprim i thjeshtë i jep atyre strukturë, peshë dhe qëndrueshmëri, duke e bërë suksesin një hap më afër realitetit.
Burimi: Dominican University of California, Dr. Gail Matthews; CNBC.
